Gjeneral Rrustem Berisha: Kur e kemi thyer kufirin në Koshare kemi qenë nën urdhërat e Halil Bicajt
Gjeneral Rrustem Berisha, ish-komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani” ka rrëfyer në “RTK Prime” rrugëtimin e tij që nga largimi nga Armata Jugosllave deri në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare.
Ai ka thënë se gjashtë ushtarakë shqiptarë pas braktisjes së ish-armatës jugosllave e kishin nënshkruar deklaratën për gatishmërinë e tyre për t’u vënë në shërbim të institucioneve të atëhershme të Kosovës për t’u përgatitur për luftë.
Një gjë e tillë sipas Berishës ishte bërë në vitet 1991/1992 dhe më pas u zgjeruan si formacion. “Megjithatë, me dorëheqjen e Nikë Gjeloshit puna filloi të ngadalësohet dhe nuk kishim ndonjë shpresë se do të vazhdonim kontiunitetin dhe punën më të madhe. Në këtë periudhë nga ‘95 deri në 98-tën kemi qenë pa një udhëheqës apo ndërlidhës ndërmjet nesh dhe qeverisë në ekzil të drejtuar nga Bujar Bukoshi”, ka thënë Berisha.
Ai tutje ka rrëfyer se në vitin 1997 pas masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, oficerët në Zvicër e organizuan një mbledhje, ku i ftuan të gjitha grupet në shtetet e ndryshme dhe aty u ftua edhe Ahmet Krasniqi. “…dhe aty dalin me propozimin konkret që Ahmet Krasniqi të jetë koordinator i të gjitha grupeve të oficerëve shqiptarë në mërgatë, por edhe të oficerëve dhe institucioneve që funksiononin brenda. Kjo ka ndodhur më 6 mars 1997. Më 7 mars këtë e kanë prezantuar te Bujar Bukoshi dhe ai e pranon dhe e cakton Ahmet Krasniqin ta udhëheq Ministrinë e Mbrojtjes”, ka thënë ai.
Me marrjen e detyrës, sipas Berishës, Ahmet Krasniqi kishte organizuar një takim në Zvicër dhe kishte mbajtur një fjalim i cili ua riktheu shpresën. “Ndër të tjera na tha: Unë nga sot e kam marrë detyrën prej kryeministrit Bukoshi që ta drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes. Ky do të jetë takimi i fundit që do ta mbajmë jashtë vendit dhe përgatituni në aspektin individual që sa më parë të dislokohemi në Shqipëri. Nuk do të ketë më takime por tani do të funksionojmë si një ushtri, me vendime, me urdhëra etj. Na tha se shumë shpejt do të organizohet një trajnim i nivelit të komandantëve të brigadës në një shtet mik”, ka shtuar Berisha.
Ai tutje ka thënë se Beteja e Koshares nuk ka qenë pjesë e operacionit Shigjeta. “Kosharja i ka paraprirë Shigjetës. Ne kishim koordinim me të gjithë ata që ishin të gatshëm për luftë. Kur kemi nisur thyrjen e kufirit kemi qenë nën urdhërat e Halil Bicajt, i cili pas vrasjes së Ahmet Krasniqi mori detyrën e ministrit. Ai ka qenë i prerë se deri në momentin kur të fillon operacioni do të jeni nën urdhërin tim, pastaj nën komandën e Ramush Haradinajt, si komandant i zonës”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se përpjekjet për unifikimin e faktorit ushtarak kanë qenë edhe në kohën e Ahmet Krasniqit, por edhe në kohën e Halil Bicajt, dhe se pa një unifikim Beteja e Koshares nuk do të kishte efektin që e pati. “…por meqenëse nuk u arrit unifikimi në nivele të larta, ne filluam nga poshtë lartë. Kishim shpresë që ky modalitet i yni do të përdorej edhe nga njësitë tjera sepse vetëm të bashkuar kishim mundësi t’i jepnim goditjen meritore armikut. Të përçarë kemi pasur shumë problem. Sikur të mos ishim bashkuar Kosharja nuk do të kishte efektin dhe nuk do të ishte ashtu siç është”, ka nënvizuar Berisha.
Ai tutje ka thënë si komandant i brigadës kishte emëruar një komandë të avancuar, ku ishin Agim Ramadani, Sali Çeku, Anton Çuni, Xhafer Gashi dhe ata i kanë thirrë eprorët e lëmive të ndryshme dhe e kanë hartuar projektin për heqjen e kufirit shqiptaro-shqiptar me luftë. “Atë plan ma kanë prezantuar Agim Ramadani bashkë me Sali Çekun dhe e kam miratuar si komandant i atij formacioni”, ka shtuar Berisha.
Ai në fund ka thënë se Beteja e Koshares duhet të shpjegohet dhe përshkruhet në tërësi, e jo pjesë pjesë, sepse çdo herë lë hapësirë për t’u keqkuptuar dhe për t’i dhënë kahje tjetër.