Greqia shton kapacitetet për të luftuar zjarret masive

01 maj 2024 | 11:56

Këtë vit, Greqia po e dyfishon numrin e zjarrfikësve në njësitë e specializuara, duke e rritur atë në 1.300, si dhe po miraton përdorimin e taktikave të SHBA-së në luftimin e zjarreve masive.

Anëtarët e njësive të reja të specializuara në Greqi përfshijnë ekspertë të pylltarisë dhe zjarrfikës me aftësi të ndryshme, që po zhvillojnë trajnime me homologët e tyre në Francë, Spanjë dhe SHBA.

Sezoni i zjarreve në Greqi fillon zyrtarisht më 1 maj, por dhjetëra zjarre tashmë janë shuar gjatë muajve të fundit pasi temperaturat filluan të arrijnë deri në 30 gradë Celsius në fund të marsit – dukshëm më të larta sesa në të njëjtën periudhe të viteve të kaluara, shkruan Rel.

E financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian, Greqia ka nisur një program 2.1 miliardë eurosh për të përmirësuar kapacitetin e saj të reagimit ndaj katastrofave, duke porositur avionë të rinj që hedhin ujë, dronë, kamionë, objekte trajnimi dhe një rrjet sensorësh të drejtuar nga inteligjenca artificiale që zbulojnë shenjat e hershme të tymit dhe përmbytjeve.

Por, pajisjet e reja nuk do të fillojnë të vijnë deri në vitin 2025.

Ndërkohë, autoritetet greke po dyfishojnë numrin e trajnimeve për metodat e reja të shuarjes së zjarreve, në prag të atij që pritet të jetë një tjetër sezon i vështirë këtë vit.

Zjarret dogjën rreth 1.750 kilometra katrorë vitin e kaluar, përfshirë një zjarr masiv në Greqinë veriore që ishte zjarri më i keq i regjistruar ndonjëherë në Bashkimin Evropian.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur protesta e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe…