Edhe këtë vit Kosova në OKB nga pozicioni i njëjtë

24 shtator 2018 | 08:21

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka deklaruar se Kosova duhet të tentojë ta shfrytëzojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta shtyrë përpara agjendën e njohjeve, dialogut dhe anëtarësimin në Interpol. 

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se edhe këtë vit Kosova në këtë forum të rëndësishëm do të marrë pjesë nga pozicioni i njëjtë, jo e barabartë me shtetet e tjera. 

Prandaj, sipas Gashit, nuk mund të presim gjëra të mëdha në këtë sesion. 

Ai ka vlerësuar se diplomacia e Kosovës nëpër takimet bilaterale të këtij forumi duhet ta përmendë edhe dialogun me Serbinë për të testuar se sa janë të gatshme shtetet anëtare të OKB-së ta shqyrtojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB në rast të arritjes së një marrëveshje me Serbinë.

“Mendoj se përmendja e dialogut duhet bërë sa për të testuar sa janë të gatshme shtetet anëtare të OKB-së që në rast të arritjes së një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë ta shqyrtojnë seriozisht anëtarësimin e Kosovës në OKB. Këtu mendoj duhet testuar cili do të ishte qëndrimi i Kinës dhe i Rusisë në rast se krijohet një momentum i ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Gashi.

Ai i ka ftuar institucionet e Kosovës që në lobimin gjatë këtij sesionit të asamblesë të fokusohen edhe në çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

“Unë uroj që këtë vit të jenë bërë tashmë përgatitjet dhe kontaktet e nevojshme për ta marrë mbështetjen e shumicës së shteteve anëtare për anëtarësim në Interpol. Natyrisht edhe në kuadrin e këtij sesioni duhet të punohet me shtetet veç e veç për të realizuar këtë synim. Nuk mund të them me siguri të plotë se do të anëtarësohemi, pra kam një fije optimizmi se kjo do të ndodhë”, ka deklaruar Gashi. 

Ndonëse e pabarabartë me shtetet e tjera, diplomacia e Kosovës, sipas Gashit, duhet ta shfrytëzojë këtë forum, kryesisht për ta shtyrë përpara agjendën e njohjeve, duke zhvilluar takime me burrështetas të shteteve të ndryshme, edhe të atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për shkak të nenit 5, pika 5, të Udhëzimi Administrativ…