Nikolla: Lufta për çlirimin e Kosovës u fitua me ndihmën e aleatëve të çmuar të kombit shqiptar

12 qershor 2024 | 11:21

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të vendin tonë është shprehur se lufta për çlirimin e Kosovës është fituar me ndihmën e aleatëve, partnerëve dhe miqve të çmuar të kombit shqiptar.

Ajo është shprehur se me mbështetjen e aleatëve, e ardhmja euroatlantike e Kosovës është e sigurt, ndërkaq, siç u shpreh ajo, pa ndihmën e tyre, asgjë nuk është e garantuar.

“Gjatë këtyre 25 viteve, Kosova më e reja Republikë e Evropës po ndërtohet si një shtet modern dhe euroatlantik në vizion, vlera, institucione, qëndrime e partneritete. Lufta për çlirimin e Kosovës u fitua me ndihmën e aleatëve, partnerëve, miqve të çmuar të kombit shqiptar”.

“Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijoj të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj. Me mbështetjen e tyre, e ardhmja euroatlantike e Kosovës është e sigurt, pa ndihmën e tyre, asgjeë nuk është e garantuar”, ka thënë ajo.

Nikolla ka thënë se Shqipëria e mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizimin, shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës.

“Shqipëria e Kosova janë sot dy shtete të pavarura, me miq e aleatë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe botën e qytetëruar dhe që aspirojmë anëtarësimin në familjen evropiane. Shqipëria mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizimin, shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës”.

“Çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë, çdo sukses i Shqipërisë është edhe i Kosovës. Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës po vijojmë partneritetin e ngusht dhe bashkëpunimin intensiv, mbështesim bashkëpunimin mes qeverive dhe institucioneve në të mirë të shqiptarëve dhe paqes në rajon”, është shprehur Nikolla. /KK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…