KMDLNj kërkon publikimin e listës së përfituesve të subvencioneve: Fjalori i ministrit Peci ‘arrogant’ dhe ‘shantazhues’

20 nëntor 2024 | 14:43

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka kërkuar që Ministria e Bujqësisë të publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve për shkak të publikimeve të fundit që janë bërë për ndarjen e granteve ndaj familjarëve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

“KMDLNj kërkon që Ministria e Bujqësisë ta publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve për faktin se dyshohet se në listën e papublikuar janë emra të partisë në pushtet e që duket se duan të kursehen”, është thënë në njoftimin e KMDLNj-së.

KMDLNj-ja e ka quajtur fjalorin e ministrit Peci si “arrogant” dhe “shantazhues” edhe ndaj anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, por edhe ndaj gazetarëve që hulumtuan këtë rast.

“Ministri i Bujqësisë, Faton Peci bëri përpjekje, si Pont Pilati të shfajësohet nga çdo përgjegjësi, me një fjalor arrogant dhe shantazhues, si ndaj një anëtari të LDK-së që e bëri publik lajmin, ashtu edhe ndaj gazetarëve dhe mediave që hulumtuan këtë rast dhe rastet tjera. Kërcënimi i ashpër u drejtua kundër partive opozitare e sidomos ndaj njërit lider të partisë i cili u akuzua si ‘vrasës i patriotëve shqiptarë’”, është thënë në këtë njoftim.

Kërkesë e këtij këshilli ka qenë që Prokuroria e Shtetit të hetojë këto dyshime për shpërdorim të subvencioneve sa më shpejt që është e mundur.

“Ministria e Bujqësisë ka një buxhet të madh për subvencione andaj edhe mundësitë për keqpërdorime janë të mëdha. Ky rast nuk duhet në asnjë mënyrë të mbetet i pa hetuar dhe të kalojë pa masa politike, institucionale dhe ligjore ndaj shpërdoruesve”, është thënë në njoftimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Disiplinor i UEFA-s sot më 20 nëntor ka dosjen…