Smakiqi: Arrestimet e Speciales, goditje direkte për Thaçin
Gjykata Speciale dhe hetuesit e EULEX-it kanë kryer disa aksione që çuan në arrestimin e tre personave të profilit të lartë në Kosovë, ndër ta Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu. Në ndërkohë, aksioni i Speciales gjatë së enjtes ka vazhduar edhe me bastisje në shtëpinë e ish-ministrit, Hajredin Kuçit.
Avokati, Xhevdet Smakiqi ka vlerësuar se arrestimet janë të kundërligjshme, ngaqë sipas tij, të dyshuarit nuk kanë shprehur mungesë të gatishmërisë për bashkëpunim me ZPS-në.
“Statistikat thonë që kjo zyrë e Prokurorit Special më shumë ka ndjekur persona për pengim të drejtësisë sesa për atë që është themeluar. Është një arrestim i paligjshëm sepse nuk ka ndonjë element që nuk kanë bashkëpunuar me ZPS-në”, ka thënë Smakiqi në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Tutje, Smakiqi ka theksuar se veprimet e fundit të Gjykatës Speciale janë një goditje e drejtpërdrejt për ish-kreun e UÇK-së, Hashim Thaçin.
“Është dështim edhe në fundamentin e krejt aktakuzës, përfshirë këtu edhe shpikjen e Institutit të dëshmitarëve të dyshuarve. Është një padrejtësi shumë e madhe dhe goditje e drejtpërdrejt për Hashim Thaçin”, ka thënë Smakiqi.



