Sulmet e Kurtit ndaj prokurorisë, Gruda: Tregues i qartë i dështimit të tij të plotë dhe frikës nga zbulimi i korrupsionit qeveritar
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK dhe kandidati për deputet, Përparim Gruda, ka thënë se sulmet e kryeministrit Albin Kurti ndaj Prokurorisë janë “një tregues i qartë i dështimit të tij të plotë në realizimin e reformave të premtuara dhe i frikës nga zbulimi i korrupsionit endemik qeveritar, siç konstatohet edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit”.
Ai ka shkruar në “Facebook” se Kurti mbrëmë i përsëriti premtimet e para katër viteve.
“Kurti përsëriti mbrëmë premtimet e para katër viteve për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke harruar se është në fund të mandatit. Tani ai duhet të fliste për realizimin e tyre, e jo t’i përsëriste ato”, ka shkruar Gruda.
Gruda ka pyetur Kurtin se “pse nuk e bëre padinë për gjenocid ndaj Serbisë, siç e ke premtuar në programin e qeverisë?”. “Apo edhe këtu të pengon Prokuroria e Kosovës?”.
“Të jesh kryeministër dhe të sulmosh në këtë mënyrë rendin ligjor dhe organet e drejtësisë të vendit tënd nuk është trimëri, por qyqarllëk”, ka shkruar Gruda.



