15 Janari: Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë
Shkruan Donika Avdulli – Doktorante në Universitetin e Varshavës
“Kam lexuar se pas çdo gjenocidi, historianët shpjegojnë se ai do të jetë i fundit. Sepse askush nuk do të mund të pranojë më diçka të tillë. Kjo është një tallje. Njerëzit përgjegjës për gjenocidin në Ruandë nuk ishin fshatarë të varfër dhe të paditur apo alkoolistë mizorë nga interahamwe (emri i milicive Hutu, të cilat nga 6 prilli deri në korrik të vitit 1994, së bashku me, kryen gjenocid masiv ndaj popullsisë Tutsi në Ruandë, duke vrarë mbi 800 mijë njerëz), ata ishin njerëz të arsimuar. Ishin profesorë, politikanë, gazetarë, të cilët shkuan në Europë për të studiuar historinë e Revolucionit Francez dhe shkencat humane. Ishin ata që udhëtonin, që ftoheshin në konferenca dhe që pritnin të bardhët në darka në vilat e tyre. Intelektualë, të cilët kishin biblioteka që arrinin deri në tavan…” – kështu shkruante Jean Hatzfeld në librin e tij të titulluar “Life Laid Bare: The Survivors in Rwanda Speak”, duke pasqyruar një të vërtetë të dhimbshme mbi gjenocidet dhe përgjegjësit e tyre.
E njëjta panoramë e errët mund të shihet edhe në rastin e Kosovës, ku krimet dhe spastrimi etnik ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1998-1999 nuk ishin rezultat i veprimeve të pakontrolluara, por i një fushate e planifikuar mirë nga një regjim që përdori të gjitha instrumentet shtetërore dhe intelektuale për të justifikuar dhe zbatuar këtë gjenocid. Serbia e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, ndihmuar nga intelektualë dhe ideologë të elitës serbe, nisi një politikë shkatërrimtare kundër shqiptarëve, duke ndjekur projekte të cilat kishin rrënjë të thella historike dhe qëllime të qarta imperialiste.
Politikat e shtetit serb ndaj shqiptarëve kishin filluar shumë më herët se lufta e Kosovës. Pas Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, çështja shqiptare u trajtua në qarqet më të larta shtetërore serbe. Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, Klubi Kulturor Serb dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë formulonin projekte për kolonizimin e territoreve shqiptare dhe shpërnguljen e shqiptarëve. Një nga dokumentet më famëkeqe ishte ai i Vasa Çubrilloviqit, i cili në vitin 1937 propozoi një pastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës. Çubrilloviqi theksonte se Serbia duhej të ndërmerrte hapa radikalë, përfshirë përdorimin e dhunës, për të arritur një “zgjidhje përfundimtare” të çështjes shqiptare.
Në të njëjtën periudhë, Ivo Andriqi, një tjetër figurë e njohur serbe, propozoi ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë dhe Italisë, duke e parë eliminimin e shqiptarëve si një detyrë strategjike për fuqizimin e Serbisë. Këto ide u përforcuan më vonë nga projekte të tjera si ai i Stevan Moleviqit, i cili propagandonte idenë e një “Serbie homogjene” ku shqiptarët nuk do të kishin vend.
Pas rënies së Jugosllavisë së Titos, këto politika morën një formë akoma më të dhunshme. Në vitet 1990, regjimi i Sllobodan Millosheviqit hartoi një seri projektesh, përfshirë Projektin Gërshërët, Projektin Kafshimi i Miut, dhe më famëkeqin, Projektin Patkoi. Këto projekte kishin për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, duke përdorur dëbime masive, shkatërrime, dhe vrasje sistematike. Operacioni Patkoi ishte një fushatë brutale që synonte zhvendosjen e qindra mijëra shqiptarëve dhe eliminimin fizik të popullsisë së mbetur, duke krijuar një Kosovë etnikisht të pastër.
Gjenocidi në Kosovë ishte një tragjedi që la pas pasojat e tij të pandalshme, duke shkatërruar jetët e mijëra shqiptarëve, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Dëshmitë e tmerrshme të këtij gjenocidi nuk janë thjesht fakte historike, por dhimbje që ende dhembin në zemrat e familjeve të viktimave. Një nga ngjarjet më të dhimbshme ishte helmimi i qëllimshëm i nxënësve shqiptarë, një akt mizor që synonte shkatërrimin e shëndetit dhe moralit të një populli të pafajshëm. Ky ishte vetëm një element i politikës shkatërruese, që kishte për qëllim terrorizimin dhe ndarjen e shoqërisë shqiptare, duke u përdorur për të krijuar një atmosferë të tmerrshme, ku çdo ditë ishte një betejë për mbijetesë. Ky akt mizor nuk ishte vetëm një sulm fizik, por një tentativë për të shkatërruar çdo lloj ndjenje sigurie dhe dinjiteti. Shumë fëmijë, të pafajshëm dhe të pambrojtur, ishin viktima të këtij helmi që përhapte frikë dhe pasiguri.
Pas fillimit të luftës (1998-1999), masakrat dhe aktet e dhunës u shfaqën në përmasa të makabritetit më të tmerrshëm që ka njohur historia e krimit dhe gjenocidit njerëzor. Njerëzit që u vranë në Prekaz, Izbicë, Likoshan, Qirez dhe masakrat e tjera, nuk ishin thjesht numra; ata ishin drita e shpresës që u shua, ata ishin burim i jetës dhe dashurisë që u asgjësuan në një çast.
Edhe masakrat e Dubravës, Krushës së Madhe, Pastasellës, Reçakut, Suharekës, Krushës së Vogël, Abri të Epërme, Drenicës dhe shumë të tjera, nuk mund të harrohen kurrë, sepse ato mbajnë brenda dhimbjen e atyre që i kanë përjetuar dhe të atyre që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.
Në çdo cep të Kosovës, masakrat dhe vrasjet ishin të pranishme. Kosova ishte shëndrruar në një varr te madh. Trupat e viktimave u fshehën në varreza masive si ato të Rudnicës dhe Batajnicës, për të fshehur dëshmitë e krimeve. Po ashtu, rreth 13,500 njerëz humbën jetën dhe mbi 1,600 persona mbetën të zhdukur. Fëmijët, gratë, të moshuarit – të gjithë ishin të ekspozuar ndaj një dhune që shkatërroi çdo gjë në rrugën e saj. Gjatë Luftës në Kosovë, janë regjistruar dhunime masive ndaj grave, ku më shumë se 20,000 gra shqiptare janë viktimë e dhunës seksuale nga forcat serbe. Kjo dhunë ka pasur pasoja shkatërruese për jetën e këtyre grave dhe ka lënë pas trauma të thella fizike dhe psikologjike.
Për Kosovën, 15 janari është dita e përkujtimit të këtij gjenocidi. Kjo ditë shërben si një kujtesë e dhimbshme e një periudhe të errët të historisë së Kosovës, por gjithashtu si një thirrje për drejtësi dhe njohjen ndërkombëtare të krimeve të kryera ndaj popullit shqiptar. Ky moment është një mundësi për të reflektuar mbi tragjedinë, humbjet dhe sakrificat, për të kujtuar ata që humbën jetën dhe për të kërkuar që e vërteta të dalë në dritë. Po ashtu, është një thirrje për të ruajtur të pashuar kujtesën për ata që e vuajtën këtë tmerr dhe për të siguruar që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më.
Gjenocidi në Kosovë është një fakt historik i padiskutueshëm, dhe përgjegjës për të është Serbia, e cila përdori të gjithë aparatin shtetëror për të kryer krime të tmerrshme kundër shqiptarëve. Nën maskën e një shteti ligjor dhe të organizuar, regjimi serb orkestroi masakra, dëbime masive dhe dhunë sistematike, duke përdorur propagandë për të dehumanizuar shqiptarët dhe për të justifikuar aktet e tij çnjerëzore. Krimet e kryera nuk ishin thjesht akte spontane të urrejtjes, por një strategji e mirëmenduar për spastrimin etnik dhe eliminimin e një popullsie të tërë.
Sot, ironia dhe padrejtësia arrijnë kulmin kur krerët e UÇK-së, të cilët luftuan për mbrojtjen e popullit të tyre nga kjo makineri shkatërrimtare, mbahen padrejtësisht në Hagë. Ata, që u ngritën kundër gjenocidit dhe represionit, përballen me akuza që në shumë raste duket se janë të ndërtuara mbi narrativat serbe, ndërkohë që ata që planifikuan dhe zbatuan gjenocidin vazhdojnë të gëzojnë lirinë dhe shpesh madje edhe në pozita publike në Serbi.
Kjo asimetri në trajtim nuk është vetëm një fyerje ndaj viktimave të gjenocidit, por edhe një sulm ndaj të vërtetës historike dhe përpjekjeve për drejtësi. Si mund të flasim për paqe dhe pajtim kur fajtorët e vërtetë janë ende të lirë, dhe ata që mbrojtën të pafajshmit mbahen pas grilave? Drejtësia nuk mund të jetë selektive, dhe bota duhet të mbajë përgjegjësi për të mos lejuar që një padrejtësi e tillë të bëhet normë. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj dhe të pranojë krimet e kryera, përndryshe plagët e luftës në Kosovë do të mbeten të hapura për breza me radhë.



