Shaip Krasniqi nga Obiliqi, mësuesi më i mirë i vitit
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për nder të Ditës së Mësuesit ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, për Shaip Krasniqi nga Obiliqi, për mësuesin më të mirë të vitit.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se kësaj radhe theks të veçantë i kanë dhënë zhvillimit profesional të mësimdhënësve.
“Si arsimtare me përvojë në të gjitha nivelet e punës në arsim e kuptoj thellë peshën dhe ndjeshmërinë që e ka puna juaj e çdo ditshme, andaj edhe me këtë vetëdije në Ministrinë e Arsimit kemi vënë me theks të veçantë zhvillimin profesional të mësimdhënësve. Vetëm në tre vitet e fundit janë trajnuar gjithsej 16 959 mësimdhënës në 172 programe të ndryshme trajnimi, që nga trajnimet për kurrikulë e deri te programet themelore dhe plotësuese”, ka thënë ajo.
Nagavci ka përmendur dhe investimet për përmirësimin e infrastrukturës.
“Po ashtu gjatë këtij mandati kemi ndërmarrë një sërë veprimesh, duke përfshirë rritjen e buxhetit për arsim për 32 për qind, investimet për përmirësimin e infrastrukturës me investime totale me 111 milionë euro”, ka thënë Nagavci.



