A do ta “boshatisë” Kosovën liberalizimi i vizave?

12 maj 2023 | 08:06

Të dhënat e shpalosura në tryezën e organizuar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) dhe nga Programi për Popullsi dhe Zhvillim (UNFPA) kanë treguar se në vitin 1986 në Kosovë ka pasur 56.283 lindje, teksa më 2019 kjo shifër ka rënë në 25.794. E Visare Mujku-Nimani, udhëheqëse e Zyrës në Kosovë të Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje për ndryshim urgjent të politikave, teksa ka paralajmëruar për rrezikun e largimit të gjysmës së të rinjve nga Kosova, pas liberalizimit të vizave nga 1 janari i 2024-s

Popullsia në Kosovë prej vitesh është në tkurrje, kanë treguar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të prezantuara në tryezën e organizuar të enjten me temën: “Ulja e fertilitetit në Kosovë: Çka po ndodh dhe çka mund të bëjmë”.

Të dhënat e shpalosura në tryezën e organizuar nga ASK-ja dhe Programi për Popullsi dhe Zhvillim (UNFPA) kanë treguar se në vitin 1986 në Kosovë ka pasur 56.283 lindje, teksa më 2019 kjo shifër ka rënë në 25.794. Sipas këtyre të dhënave, rënie është shënuar edhe në numrin e vdekjeve – nga 20.311 më 1999, në 14.845 më 2019.

Ilir Berisha, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ASK-së, ka thënë se rënia e shkallës së lindjeve është e ndërlidhur me migrimin. Ai ka thënë se rënia e natalitetit është dukuri që po i prek edhe vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, porse ka shtuar se këto shtetet i kanë ndërmarrë me kohë masat e nevojshme.

“Statistikat tona na tregojnë se kemi rënie të lindjeve në Kosovë, kjo lidhet me fertilitetin dhe migrimin. Ne besojmë që do të dalim më të pajisur për këtë dukuri nga ky diskutim. Kjo dukuri është prezente në të gjithë rajonin dhe më gjerë, vendet e rajonit i kanë marrë hapat me kohë. Përpos që lindjet kanë rënie, edhe migrimi është në rritje”, ka deklaruar Berisha.

E Visare Mujku-Nimani, udhëheqëse e Zyrës në Kosovë të Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje për ndryshim urgjent të politikave, teksa ka paralajmëruar për rrezikun e largimit të gjysmës së të rinjve nga Kosova, pas liberalizimit të vizave nga 1 janari i 2024-s.

“Brenga e të gjithëve është se çfarë do të ndodhë, sepse popullsia po zvogëlohet. Orientim është se çfarë po bëjnë shtetet e tjera që janë prekur, çfarë masash duhet të merren dhe cilat nga to kanë pasur sukses. Shtete që janë ballafaquar me këtë problematikë kanë vërtetuar dhe kanë bërë ndryshime në politika, si në edukim, pushimin e lehonisë, pushimin prindëror. Ne si Kosovë po presim tash shumë se çka do të ndodhë me liberalizim vizash, që do të ketë emigrim të madh të të rinjve, do të zbrazet Kosova”, ka thënë Mujku-Nimani.

Avni Kastrati, nga ASK-ja, ka thënë gjatë diskutimeve se norma e fertilitetit gjatë vitit 2020 ka shënuar rënie në 1.7 krahasuar me 6.4 sa ishte në vitin 1960. Kjo, sipas tij, përbën një tregues se popullsia në Kosovës është në rënie e sipër. Ndërkaq profesoresha e Universitetit të Prishtinës (UP), Mimoza Dushi, ka theksuar që ndonëse Kosova më herët ka pasur shkallën më të lartë të lindjeve krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ulja aktuale në shifra është reflektim i migrimit.

“Nga viti 1948 deri vitin 2011, për sa i përket numrit të lindjeve në këto periudha, Kosova ka pasur rritje të lindjeve krahasuar me vendet e rajonit. Shkalla e fertilitetit të përgjithshme gjatë viteve 2013–022 në Kosovë është 2.1, që është shkalla më e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Ka burime të tjera që tregojnë se shkalla e lindshmërisë në Kosovë ka shënuar rënie. Në Kosovë shkaktari kryesor i zvogëlimit të numrit të popullsisë është migrimi, jo lindshmëria”, ka deklaruar Dushi.

E Sevdie Spahiu, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka thënë se problem tjetër që reflektohet në shifra është mosedukimi i të rinjve mbi shëndetin seksual dhe atë riprodhues.

“Lindshmëria ka rënë, faktorët e rënies u cekën, por ajo që është e rëndësishëm është që kjo varet prej shumë faktorëve. Ajo çka është me rëndësi, ne si Institut duhet të punojmë sa më tepër me të rinjtë sa i përket shëndetit seksual dhe riprodhues. Ne mbajmë trajnime me shkollat e mesme. Ajo çka është e rrezikshme është shtatzënia e padëshirueshme, andaj duhet që të punohet me të rinjtë, pasi këto janë tema tabu në familjet tona”, ka theksuar ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, është shprehur se në Kosovë…