A do ta mbroj sot Gervalla në New York shtetin e Kosovës dhe UÇK-në nga Serbia dhe Rusia?

27 prill 2023 | 13:30

Skandali me raportimin e Gjykatës Speciale në OKB. Gjykimi i krerëve të UÇK-së. Diplomati rus Konstatin Kosachev, akuzat për trafikim organesh dhe Shtëpinë e Verdhë, atentati serb ndaj Dick Martyt, marrëveshja e Ohrit dhe zgjedhjet në veri, janë disa nga temat që shefja e diplomacisë Donika Gervalla pritet t’i adresojë sot në New York, në interes të shtetit të Kosovës.

Ministrja jonë e jashtme do ulet sot në një tryezë me ambasadorë të shteteve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku janë edhe Rusia, Kina dhe ku merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, për të diskutuar rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë me Kosovën, nga shtatori 2022 deri në mars të këtij viti.

Në këtë tryezë për vite me radhë janë përsëritur akuza të tmerrshme kundër UÇK-së dhe luftës së Kosovës për liri, siç janë Shtëpia e Verdhë dhe trafikimi me organe që kanë qenë pjesë e raportit të Dick Martyt.

Këto akuza të tmerrshme në Këshillin e Evropës në Strasburg i pari i ka iniciuar dhe sponsorizuar, zyrtarisht, diplomati dhe parlamentari rus, Konstatin Kosachev, që në ndërkohë përfunduan në raportin e Dick Martyt.

Si njeri i afërt me Putinin, Kosachev së fundi është sanksionuar dhe izoluar nga Qeveria Amerikane për aktivitetin kundër Ukrainës.

Gjykata Speciale është temë e pashmangshme në Këshillin e Sigurimit sepse ajo edhe pse e themeluar nga shteti i Kosovës, është duke i raportuar OKB-së përmes Raportit të UNMIK-ut, në përputhje me rezolutën 1244. Ky raport është publikuar dje në mediat kosovare.

Gervalla pritet të shpreh shqetësimin e Kosovës së në Gjykatën e Hagës po rishkruhet historia e Kosovës, ashtu siç ka deklaruar shefi i saj, kryeministri Albin Kurti për gazetën britanike “The Sunday Times”, më 16 prill.

Një qëndrim edhe më të qartë se çfarë po ndodh në Gjykatën Speciale e ka edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, partia e të cilit, Vetëvendosje, është në koalicion me partinë e Gërvalles.

Në selinë e OKB-së, ambasadorët e 15 shteve anëtare do të dëgjojnë edhe qëndrimin e kryediplomates kosovare se a po gjykohet në Hagë e tërë struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës siç thuhet në pikën 35 të aktakuzës së Prokurorisë apo vetëm katër individë të saj: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Emri i ish-senatorit zviceran është përmendur shumë herë nga Serbia dhe Rusia në Këshillin e Sigurimit përgjatë 13 viteve të fundit andaj ministrja Gervalla pritet t’ua thotë në sy ambasadorëve se akuzat e Raportit të tij nuk janë pjesë e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së, e as re të zeza mbi Kosovën dhe Shqipërinë.

Gervalla e ka rastin e mirë të pyes homologun e saj serb, Ivica Daçiq, por edhe ambasadoren e Zvicrës, Pascale Baeriswyl, se a është arrestuar dikush për përgatitjen e atentatit nga shërbimi sekret serb për vrasjen e ish-senatorit Dick Marty, e që më pas të fajësohen shqiptarët, siç ka konfirmuar vetë ai dhe autoritet zviverane.

Përveç këtyre temave, Gervalla dhe Daçiq do të ballafaqohen edhe për marrëveshjen e Kurtit me Vuçiqin në Ohër, Asociacionin  e komunave me shumicë serbe dhe zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin…