A do të jetë djali i adoptuar i El Mencho-s ai që do të marrë ‘frenat’ e kartelit më të fuqishëm të Meksikës?

26 shkurt 2026 | 21:21

Shteti i Jalisco-s po përpiqet të rikuperohet pas operacionit ushtarak të zhvilluar të dielën, 23 shkurt, ku u vra kreu i Cartel de Jalisco Nueva Generacion (CJNG), Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.

Operacioni la pas 27 anëtarë të Gardës Kombëtare dhe 46 trafikantë të vrarë.

David Mora, hulumtues për Meksikën në International Crisis Group, thotë se ajo që përjetoi në Guadalajara ditën që u vra El Mencho ishte dramatike: qyteti u zbraz në çaste, dyqanet u mbyllën njëra pas tjetrës, ndërsa më shumë se 10 mijë pjesëmarrës të një gjysëmmaratoneje mbetën të bllokuar.

Vetëm një dyqan i vogël ku blihen tacos mbeti i hapur, i mbushur me qytetarë dhe efektivë policie.

Sipas Moras, policët që humbën jetën u përballën me skena të dhunës ekstreme.

Ndërsa ushtria kishte marrë masa paraprake, reagimi i kartelit ishte përtej çdo pritshmërie. Dhuna u përhap në të gjithë vendin, nga Jalisco në Veracruz dhe shtetin e Meksikës, duke shkaktuar 250 bllokime rrugore dhe dhjetëra të vrarë nga të dyja palët.

Trupi i Mencho-s u dërgua menjëherë në Mexico City për të parandaluar përpjekjet e narkotikëve për ta rikuperuar.

CJNG konsiderohet sot karteli më i fuqishëm i Meksikës. Ai ka armatim të avancuar, përfshirë dronë, granata dhe raketa, si dhe aftësi për të krijuar mina anti-personale. Fillimisht përdorte mercenarë të trajnuar, përfshirë ish-ushtarë kolumbianë, dhe më pas filloi rekrutimin e detyruar të të rinjve nga jugi i Meksikës. Karteli kontrollon prodhimin dhe trafikun e drogës, vjedhjen e karburantit, shantazhet dhe trafikimin e emigrantëve, ndërsa korrupsioni i zyrtarëve i siguron fuqi shtesë.

Karakteristikë e veçantë e CJNG-së është përdorimi i mediave sociale, sidomos TikTok, për të shfaqur kapacitetet e tyre ushtarake dhe për të rekrutuar anëtarë. Ndërkohë, karteli nuk heziton të sulmojë figura politike, siç tregojnë tentativat për të vrarë ministrin e sigurisë publike në 2020-ën dhe vrasja e kryebashkiakut të Uruapan në 2025-ën.

Pyetja më e madhe mbetet: kush do ta zëvendësojë Mencho-n?

Fraksionet lokale të kartelit janë të varura nga marka e tij, dhe mungesa e një figure të fortë mund të shkaktojë përçarje dhe dhunë. Gjithashtu, kartelet rivale si Santa Rosa de Lima dhe Unidos mund të shfrytëzojnë dobësinë e CJNG-së për të rimarrë territoret e humbura.

Sipas Moras, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara ishte thelbësor: informacioni u ndanë dhe agjencitë e sigurisë u koordinuan, por operacioni u krye plotësisht nga ushtria mexicane, ndërsa SHBA-ja mbajti rolin e këshilluesit.

Ekspertët dhe mediat raportojnë disa skenarë të mundshëm për trashëgimtarin e pushtetit brenda organizatës kriminale: Kandidati kryesor është Juan Carlos Valencia González ose El Pelón.

Ai është djali i adoptuar i El Mencho-s, me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe meksikane, dhe konsiderohet kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e CJNG-së pas vdekjes së shefit të vjetër. Ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale që prej vitit 2007 dhe njihet si figura e dytë më e fuqishme brenda strukturave të grupit para vdekjes së Mencho-s.

Rosalinda “La Jefa”, González Valencia, ish-grua e El Mencho-s dhe një nga drejtueset financiare të kartelit, konsiderohet se mund të luajë një rol kyç në mbështetjen e kalimit të pushtetit te Juan Carlos.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku e ka…