A do të kemi nesër kryetar të Kuvendit?!

25 gusht 2025 | 23:51

Asnjë nga kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e Kryeparlamentarit nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme në seancat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar të martën (nesër), më 26 gusht, në ora 11:00.

Të dielën, më 24 gusht, VV-ja propozoi tre emra për kryeparlamentar: Hekuran Muratin (për herë të dytë, pasi ishte kandidati i vetëm i propozuar në seancën e së premtes), Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha.

Murati mori 55 vota, dy më pak se në seancën e parë që kishte marrë 57, ndërsa Nagavci gjithashtu mori 55 vota. Dimal Basha arriti të sigurojë 57 vota, duke përfshirë edhe votat e Bekë Berishës nga AAK dhe Arben Gashit nga LDK-ja, ndërsa të gjithë deputetët e PDK-së abstenuan.

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, tha se me këtë seancë u kuptua se partitë tjera nuk kanë më problem me emrat, por po bllokojnë qëllimshëm funksionimin e institucioneve.

Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur dhjetëra vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh.

Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka…