A do të lëkundet Putin pas ultimatumit të Trumpit?

21 korrik 2025 | 11:15

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një paralajmërim të qartë Kremlinit, javën e kaluar, duke e njoftuar për planet për dërgimin e furnizimeve me armë për Kievin përmes Evropës dhe duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin “tarifa shumë të rënda” ndaj Rusisë nëse nuk arrin marrëveshje për luftën në Ukrainë brenda 50 ditësh.

Trump nuk ka specifikuar nëse do të arrihet një armëpushim apo vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes. Sidoqoftë, shumë analistë thonë se kjo ka pak gjasa të ndodhë. Ja përse:

Synimet territoriale

Qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, qartësisht shkojnë përtej pushtimit të një pjese të Ukrainës: Ai e ka bërë të qartë se synon të nënshtrojë vendin dhe ta dobësojë NATO-n dhe Perëndimin, duke kërkuar që të rikthejë një pjesë të ndikimit që Moska kishte gjatë epokës sovjetike mbi një pjesë të Evropës.

Por, një synim më afatshkurtër lidhet drejtpërdrejt me territorin. Rusia aktualisht kontrollon pothuajse 20 për qind të territorit të Ukrainës. Përveç Gadishullit të Krimesë, që Rusia e ka nën kontroll që nga viti 2014, Putini zyrtarisht – dhe në mënyrë të rreme – pretendon se rajonet ukrainase sikurse Donjecku, Luhansku, Zaporizhja dhe Hersoni janë tashmë pjesë e Rusisë – përfshirë edhe zona të mëdha që Rusia ende nuk i ka pushtuar.

Rusia ka thënë se tërheqja e plotë e Ukrainës nga këto katër rajone është parakusht për ndonjë marrëveshje të paqes – një kërkesë që Kievi thotë se është e papranueshme. Dhe përderisa analistët thonë se Putini mund t’i bëjë ballë çdo kundërshtie brenda vendit nëse do të pranonte një marrëveshje që do ta kufizonte praninë ruse vetëm në territoret që kontrollon aktualisht, ai nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të bëjë diçka të tillë.

Përkundrazi, Rusia ka këmbëngulur në këtë kërkesë. Në terren, ajo ka synuar që ta bëjë realitet këtë pretendim, duke shtyrë përpara veçanërisht në rajonin e Donjeckut dhe duke bërë përparim drejt qytetit të shkatërruar të Pokrovskut.

Në një nga reagimet e para ruse lidhur me deklaratat e Trumpit, ligjvënësi i afërt me Kremlinin, Konstantin Kosachyov, tha në Telegram “oh, aq shumë gjëra mund të ndryshojnë në fushëbetejë brenda 50 ditësh”.

Rusia mund të synojë që të intensifikojë ofensivën e saj në javët në vijim, duke u përpjekur që të bëjë përparim jo vetëm në provincat që pretendon se i kontrollon, por edhe në rajone të tjera, sikurse në Harkiv dhe Sumi, në veri të Donjeckut. Në qershor, Putin bëri një kërcënim të tërthortë lidhur me përpjekjen për të marrë nën kontroll qytetin e Sumit.

Megjithatë, ekziston një kufi se çfarë mund të ndryshojë në gjashtë javë në fushëbetejë, ku përfitimet graduale ruse kanë ardhur me një çmim të lartë sa i përket viktimave, që vlerësohet se kanë arritur afër shifrës 1 milion të vrarë apo të plagosur nga ana ruse.

Por, përderisa nuk ka mundësi që Rusia të pushtojë pjesët e mbetura, që janë nën kontrollin e Qeverisë ukrainase, në katër rajonet e përmendura deri në shtator – përfshirë kryeqytetet e Zaporizhjës dhe Hersonit – ky fakt vetëm mund të rrisë dëshirën e Putinit që të sigurojë kontroll të plotë, të paktën në letër, para ndonjë marrëveshje të mundshme.

“Sipas mendimit tim është e qartë që Putini nuk dëshiron armëpushim, të paktën jo derisa të marrë kontrollin e të gjitha rajoneve që janë të përcaktuara si ruse në versionin e tij të Kushtetutës”, tha Dmitry Gudkov, ish-ligjvënës opozitar në Parlamentin rus për Current Time më 16 korrik. “Në thelb, kjo do të nënkuptonte kapitullimin e Ukrainës”.

“Ultimatumet janë të papranueshme”

Trump ka synuar që të ndërmjetësojë përfundimin e luftës në Ukrainë që kur mori detyrën gjashtë muaj më parë, pas një fushate zgjedhore në të cilën ai deklaroi se luftës do t’i jepte fund “brenda një ose dy ditësh”. Përballë rezistencës së Putinit, më së shumti përmes refuzimit të tij të kujdesshëm të kërkesës amerikane për një armëpushim 30-ditor, Trump ka përdorur retorikë të ashpër ndaj Putinit në javët e fundit.

Por, paralajmërimi 50-ditor përbën herën e parë që Trumpi i dha Kremlinit një ultimatum – një formë presioni që Putini, i cili ka kërkuar që Rusia të trajtohet e barabartë me vendet e tjera të politikës së tij të jashtme, duket se nuk e pëlqen. Kështu, teksa shumë në Perëndim kanë kërkuar që Trump të bëjë kërkesa specifike ndaj Putinit, ende nuk është e qartë nëse një ultimatum e rrit apo e ul mundësinë për një marrëveshje.

Putini nuk ka folur publikisht për deklaratat e Trumpit dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk ka thënë asgjë specifike për këto deklarata. Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, që mbikëqyr raportet me SHBA-në, më 15 korrik tha se “çdo përpjekje për të bërë kërkesa, veçanërisht ultimatume, është e papranueshme për ne”.

“Nëse ne nuk mund të arrijmë qëllimet tona përmes diplomacisë, atëherë [lufta kundër Ukrainës] do të vazhdojë”, tha Ryabkov, duke dhënë, deri tani, refuzimin e vetëm zyrtar të thirrjes së Trumpit për marrëveshje brenda 50 ditësh – deri më 1 ose 2 shtator. “Ky është një qëndrim i palëkundur”.

Loja e fajësisë

Kremlini mund të shpresojë që qëndrimi i Trumpit kundër Putinit në javët e fundit nuk është edhe aq i palëkundur – dhe se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje deri në shtator, qëndrimi do të ndryshojë dhe presidenti amerikan do të fajësojë, të paktën pjesërisht, Kievin.

Një pikëpamje e përhapur në Rusi është se fokusi aktual i Trumpit është “i përkohshëm” dhe se rritja e mbështetjes për Ukrainën është “një manovër për të rritur presionin ndaj Putinit dhe për të testuar nëse kjo qasje sjell rezultate”, tha Tatyana Stonvaya, hulumtuese e lartë në Qendrën Carnegie për Euroazinë dhe Rusinë, përmes një postimi në X.

Trump në të kaluarën shpesh ka fajësuar Ukrainën për luftën. Dhe një pjesë e deklaratave të tij të bëra më 14 korrik, që nuk mori shumë vëmendje, ishte theksimi se ai shpreson që nisma për një marrëveshje brenda 50-ditësh të ketë “ndikim edhe tek Ukraina”.

“Ne duam të sigurohemi që Ukraina të bëjë atë që duhet bërë”, tha Trump. “Papritur, ata mund të ndihen të fuqizuar dhe ndoshta nuk e duan një marrëveshje – kjo është një situatë shumë e vështirë”.

“S’është gati për detaje”

Në çdo rast, janë të paktën dy arsye pse kërcënimi për sanksione ka pak gjasa që të shtyjë Putinin më afër një marrëveshjeje me Ukrainën për ndaljen apo përfundimin e luftës në këtë moment. Njëra prej tyre është se ende nuk është e qartë se si do të funksiononin masat me të cilat Trump ka kërcënuar – kryesisht bëhet fjalë për tarifa apo sanksione ndaj shteteve që blejnë naftë ruse.

Njoftimi i Trumpit më 14 korrik ishte “i lavdërueshëm për qëllimin e tij që të godasë Rusinë në aspektin ekonomik”, por “nuk është ende gati për të dhënë detaje”, tha Daniel Fried, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, njëherësh arkitekt i sanksioneve amerikane kundër Rusisë, pasi Moska mori nën kontroll Krimenë më 2014.

Po ashtu, është e paqartë se sa efektive do të ishin këto masa, prandaj Kremlini mund të jetë duke pritur që të mat shanset e tij.

“Kina dhe India janë dy blerëset kryesore të eksporteve të energjisë ruse dhe pritjet që këto dy shtete t’i bëjnë presion Putinit që t’i japë fund luftës brenda 50 ditësh duken naive”, tha për revistën Time, Michael McFaul, profesor i shkencave politike në Universitetin e Stanfordit, njëherësh ish-ambasador i SHBA-së në Rusi në periudhën 2012-2014.

Arsyeja tjetër është se Rusia deri më tani u ka bërë ballë sanksioneve perëndimore dhe Kremlini e ka kthyer këtë qëndresë në pikë krenarie, duke e përfshirë në narrativen e përgjithshme që Rusia – ndonëse në realitet është palë agresore në një luftë të paprovokuar – po zhvillon një fushatë mbrojtëse në një përballje madhore me Perëndimin dhe është duke e fituar këtë përballje. Në këtë kontekst, paraqitja se po nënshtrohesh në dritë të kërcënimit me tarifa është diçka që Putini do ta shmangë me çdo kusht, përveç nëse është absolutisht e nevojshme.

Dy çështje kryesore

E njëjta gjë mund të vlejë edhe për dërgesat e shtuara të armëve që Trump i ka premtuar Ukrainës, me aleatët e NATO-s që do të mbulojnë kostot duke blerë sisteme mbrojtëse raketore Patriot dhe armë të tjera nga SHBA-ja ose do t’i dërgojnë Kievit armatim që tashmë veçse e kanë.

Fried, që projektoi sanksionet ndaj Rusisë vite më parë, tha se nëse njoftimi i Trumpit për armët për Ukrainën dhe presioni ekonomik ndaj Rusisë “jetësohen, ashpërsohen dhe zbatohen”, mund të bëjnë dallim të madh në kuptim të luftës dhe rrugës drejt paqes.

“Janë dy çështje kryesore: Të nisin dërgesat me armë dhe të vazhdojnë pa ndërprerje; të kristalizohen opsionet tona të politikës për goditjen e ekonomisë ruse. Nëse i bëjmë të dyja, Ukraina do të jetë në një pozicion krejt tjetër”, tha ai. “Nëse supozimet apo shpresat e Putinit për një dështim të udhëheqjes amerikane dhe braktisje të Ukrainës rezultojnë të jenë të gabuara, atëherë ndoshta ai do të detyrohet të pranojë një ujdi”.

Analistë të tjerë sugjerojnë se kjo gjë nuk do të ndodhë së shpejti, ose mund të mos ndodhë fare.

Pikëpamja mbizotëruese në Rusi është se “asnjë prej këtyre zhvillimeve nuk do ta ndryshojë strategjinë e Putinit për të detyruar Kievin në kapitullim, me çdo mjet të mundshëm”, shkroi Tatyana Stanovaya.

“Putini nuk do të heqë dorë lehtë nga optimizmi i tij për luftën, dhe ai beson se [Trump] ka pak karta në dorë”, shkroi më 14 korrik në X Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin.

Që në dimër “ishte e qartë se Vladimir Putini është i bindur për një gjë: koha është në favorin e tij”, shkroi Gabuev. “Kjo është arsyeja pse ai nuk është i interesuar për një marrëveshje që nuk është sipas kushteve të tij”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha para mediave se partia…