A do të ndërtohet Kamp Nou në Korroticë apo Santiago Bernabeu në Bërrnicë?

21 nëntor 14:09

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Duelet e “viganëve” të sportit që nuk i njeh as Korrotica e as Bërrnica: Kosova është vend i mrekullive dhe mundësive që nuk i ofron asnjë shtet tjetër në botë. E ka një mbitokë të pasur me intelektualë, analistë të politikës dhe të anatomisë (që vegjetojnë, zhvillohen, mbijetojnë dhe ngritën profesionalisht në anusin e politikanëve e që studiohet nga anatomia), ekspertë për banka, për ekonomi dhe financa, shoqëri civile super të pa – përlyer, profesorë që kanë grada shkencore të fituara sipas standardeve të Bangladeshit të cilët nuk kanë njohuri elementare gjuhësore se si shkruhet pa gabime as formula e leshit.

Mbi të gjitha, Kosova e ka një nëntokë të jashtëzakonshme siç e kishte edhe Kolumbia e Pablo Eskobarit, Sicilia e Toto, jo Kutunjos por e Rinas, Klani i Zemunit me paramilitarët e Millosheviqit, dikur Bronksi i Amerikës apo sot Sinaloa ose ZETA-s e Meksikos. Kosova, përveçse është dëshmuar si burim i talenteve njihet edhe si vend ku “ekspertët” e kësaj lëmie, sportin e kanë futur nën kthetra të politikës sikur që politikën e kanë shndërruar në sport të zhvatjes dhe faturë me të cilën mbulohen njëqindmijë të zeza!

Tash, nuk duhet të jesh fort i informuar e ta kuptosh se , në planin ekonomik dhe social Kosova nuk e ka asnjë problem të vetëm sikur që në të gjitha fushat ku ofrohen shërbimet jemi bindshëm në vendin e parë! Me gjitha këto të mira , duke mos ditur ç’të bëjmë tjetër e filluam një projekt ; ndërtimin e një stadiumi të futbollit e që të ngjashëm nuk do ta ketë askush në botë. Lëreni ju stadiumin e ndërtuar në Tiranë që në ndeshjen kundër Francës i ndahej shtresa e barit si të ishte petë lakërori, çdoherë kur ndonjë lojtar apo referi shkelte me tërë shputën e këmbës.

E patë një situatë kur gjatë një dueli pak më të fortë, nën këmbët e lojtarit u hapë një gropë sikur në rrugët e Shpend Ahmetit në Prishtinë të cilën pastaj Hysaj mundohej ta mbyllte si të ishte kopshtar e jo lojtar! Kosova nga pësimet e të tjerëve ka nxjerrë mësime, nuk ka pasur nevojë të përsërisë gabimet e të tjerëve. Pastaj, në këtë fushë ka angazhuar ekspertë ndër më të ndershmit në botë sikur që janë udhëheqësit e Federatës, politikanë të të dy krahëve; atij paqësorë dhe të luftës dhe vetëm ka mbetur të përcaktohet për lokacionin.

Krahu i luftës sa ishte në pushtet u përcaktua për Drenicë përkatësisht për Korroticë. Duket të jetë bërë projekti dhe se janë bërë investime fillestare. Tash pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, krahu “paqësorë”, LDK-së duket se do të jetë pjesë e pushtetit bashkë me LVV apo me dikë tjetër, nuk ka aspak rëndësi me kënd, me rëndësi të jeni në grazhdin e pushtetit, ka deklaruar se Stadiumi nuk do të ndërtohet në Korroticë, por në Bërrnicë.

Kemi përballje të dy “viganëve” të sportit; Bekim Haxhiu apo Kamishi i Drenicës dhe Lumir Abdixhiku apo Miri i Xhikës. Përveçse kanë qenë jashtëzakonisht të talentuar, si shpresa të futbollit kosovarë dhe botërorë, që të dy janë intelektualë të spikatur, Kamishi si profesor në fakultetin ku lind dhe vdesë humanizmi, Fakulteti i Mjekësisë ndërsa Miri i Xhikës është ekspert në fushën ku numërohen, dhe pa asnjë gjurmë humbin paratë, në Fakultetin e Ekonomisë. Që të dy përveç përkushtimit në fushën e sportit njihen edhe si aktivistë politikë që janë në majat e kupolës – Ndragetës së politikës kosovare, për një kohë të gjatë. Kamishi i Drenicës e ka bërë luftën e fundit, kurse Miri i Xhikës jeton me kujtimet e luftës së parafundit.

Gjaku ujë nuk bëhet! Që të dy këta burra të shquar të kombit kosovar janë edhe biznesmenë të suksesshëm, por se për shkak të modestisë se tyre nuk identifikohen në publik si të tillë duke e respektuar statusin e tyre njerëzorë, kombëtar, politikë, intelektualë dhe afaristë!

Çka i bashkon dhe çka i ndanë Korroticën dhe Bërrnicën: Këto të dy lokacione janë pjesë përbërëse e territorit të Kosovës sikur që të dyja këto duan që stadiumi të ndërtohet në lokacionin e përfolur. Mendoj se vetëm këto dy pika i bashkojnë këto lokacione. Në anën tjetër, Korrotica si pjesë e Drenicës heroike është burim i të gjitha përpjekjeve për çlirim, liri, drejtësi, barazi dhe pavarësi, si rrugëtim kalimtar drejt gjakimit të gjithë shqiptarëve përjashtuar këtu kosovarët, bashkimit kombëtar që llogaritet si e drejtë e njeriut, e dhënë nga Zoti dhe nga natyra.

Drenica e dha formën, kuptimin dhe përmbajtjen e lirisë. Po të mos ishte Drenica, liria nuk do të banonte në Kosovë dhe as shqiptarë nuk do të kishte në Kosovë. Drenica e sakicës së Ahmet Delisë, e urisë së Shotë Galicës, e opingave të shqyera të Azem Bejtës, e gjymtyrëve të mërdhira të Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës por të shpirtit liridashës dhe sakrifikues, Drenica e Tahir dhe Nebih Mehës, kurbanëve të qëndresës, Drenica e dy gjigantëve të trimërisë, sakrificës dhe shqiptarisë, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci dhe Drenica e simfonisë së këngës për liri edhe në çaste kur shkonin drejt amshimit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe tërë familjes legjendare Jashari, bashkë me mysafirë që ishin edhe luftëtarë sikur edhe me të tjerë që kurrë nuk iu ndanë komandantit legjendar, Adem Jashari, meriton më shumë respekt.

Meriton më shumë investime, si në ruajtjen e kujtesës historike ashtu edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Drenicës të cilët, sipas një paragjykimi të shëmtuar politesk, janë të paracaktuar vetëm për sakrifica. Është koha e ndryshimit të këtij stereotipi që e përdorin hoxhallarët kur u drejtohen besimtarëve ; në këtë botë duhet të vuani në mënyrë që në botën tjetër t’i gëzoni gjitha të mirat , tokë , krimba dhe të tjera që janë shoqërues të të vdekurve. Për këtë arsye, ndonëse në asnjë mënyrë nuk e konsideroj se është prioritet ndërtimi i stadiumit, megjithatë jam që në Drenicë të ndërtohet stadiumi e jo në Bërrnicë. Bërnica është krejtësisht e kundërta e Korroticës sepse aty ka qenë burimi i robërisë ku Serbia kishte njësi paramilitare ushtarake dhe politike. Duhet, njëherë e mirë të pamundësojmë manipulimin e politikës në instrumentalizimin e sportit në përgjithësi kurse, në rastin konkret të futbollit në veçanti.

Nuk duhet të lejohet që lojën e ndyrë politike ta bartin në fushën e sportit. Asgjë nuk paraqesin në sport, as Kamishi e as Miri i Xhikës, po përpiqen të bëhen faktorë vetëm përmes politikës . Që të dy, kontributin më të madh që mund të japin për sportin kosovarë është që të qëndrojnë sa më larg, dhe në rast se shkojnë në stadium, atëherë duhet t’i paguajnë biletat e jo të shvercovaten si VIP -a!
Të bëhemi të sinqertë e të mos riciklojmë pamjet që zgjatnin 1-2 orë duke brohoritur: Jemi me ty Drenicë, kurse tërë kohën tjetër e kalonim duke u shoqëruar me Draganin, Stojanin dhe Millanin duke pirë shlivovicë në Bërrnicë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një ceremoni zyrtare janë hapur dyert e Qendrës Informuese…