A do të ndikojë kapja e Maduros në marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë? Trump: Do t’ju shesim naftën e Venezuelës

03 janar 2026 | 21:38

Presidenti amerikan Donald Trump iu përgjigj këtë të shtunë, gjatë një konference për mediat, pyetjeve të gazetarëve rreth operacionit në Venezuelë dhe mundësive që SHBA-të të përfshihen në vend pas kapjes së Nicolás Maduro-s.

Trump theksoi se administrimi i Venezuelës nuk do të kushtojë asgjë për Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se pasuritë e vendit, veçanërisht nafta, janë jashtëzakonisht të mëdha.

“Epo, e dini, kjo nuk do të na kushtojë asgjë, sepse paratë që dalin nga toka janë shumë të mëdha”, tha Trump.

Ai shtoi se me të në krye, historia e ndërhyrjeve amerikane në rrëzimin e diktatorëve ka qenë “e përsosur dhe fitimtare”.

Në lidhje me pasurinë e vendit, Trump deklaroi: “Ne do të nxjerrim shumë para, në mënyrë që të kujdesemi për Venezuelën”, duke shtuar se SHBA-të janë gati të shesin naftë dhe të ndihmojnë në rikuperimin e vendit.

Donald Trump ka premtuar tashmë se SHBA-të do të drejtojnë Venezuelën deri sa të mund të realizohet një tranzicion i sigurt. Ai thotë se kjo do të përfshijë edhe hyrjen e kompanive amerikane të naftës në vend.

“Ne do të fusim kompanitë tona shumë të mëdha amerikane të naftës, më të mëdhatë kudo në botë, të shpenzojnë miliarda dollarë, të rregullojnë infrastrukturën e dëmtuar rëndë, infrastrukturën e naftës, dhe të fillojnë të sjellin të ardhura për vendin.”, u shpreh Trump.

Pas pyetjeve për ndikimin e këtij operacioni në marrëdhëniet me vende si Kina, Rusia dhe Irani, Trump u përgjigj se SHBA-të janë kryesisht të fokusuar tek biznesi i naftës dhe se do të vazhdojnë të shesin energji sipas interesave të tyre.

“Sa i përket vendeve që duan naftë, ne jemi në biznesin e naftës. Do t’ua shesim. Do të shesim naftë”, vazhdoi Trump.

Ai gjithashtu përsërit pretendimet e tij se Venezuela “vodhi” naftën amerikane, duke thënë se ishin bizneset amerikane ato që ndërtuan industrinë e naftës së vendit.

Më pas, ai zgjeron idenë e tij mbi ato që ai i quan baza ideologjike të këtij operacioni: “Të gjitha këto veprime ishin në shkelje të thellë të parimeve themelore të politikës së jashtme amerikane që datojnë më shumë se dy shekuj… që nga Doktrina Monroe”.

Sipas Trumpit, me këtë operacion, SHBA-të po riafirmojnë fuqinë amerikane në botë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se largimi i Nicolás Maduro-s…