A do të shkarkohet – dorëhiqet për herë të tretë Ali Gashi?!
Reagim i KMDLNj-së
Për shkak të keqpërdorimit seksual – dhunimit një vajze 11-vjeçare, nga 11 meshkuj të moshës madhore dhe të mitur pati një reagim të jashtëzakonshëm të qytetarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës dhe anekënd ku jetojnë shqiptarët, në mbrojtje të viktimës dhe gjykim publik të dhunuesve.
Në Prishtinë ishte një protestë madhështore ndërsa ka paralajmërime se do të vazhdojë edhe të hënën. Në planin e përgjegjësisë institucionale, u dhanë dy dorëheqje të shpejta, u shkarkuan në formë të dorëheqjes, Samedin Mehmeti i cili ushtronte detyrën e drejtorit të Policisë së Kosovës. Pas kësaj u shkarkua – dha dorëheqje Ali Gashi që drejton Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan por se dorëheqjen e dha nga pozita e drejtorit të Departamentit për Trajtimin e të Miturve, post që nuk ekziston, post fantom.
Më parë ishte shkarkuar – dorëhequr nga posti i u.d. të drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK). Po flitet se ka ndryshime në Policinë e Kosovës por se ende nuk janë zyrtarizuar.
Sipas KMDLNj-së, Policia e Kosovës e ka kryer punën operative në afat real, si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin sikur që Ali Gashi nuk ka përgjegjësi konkrete as në shkarkimin – dorëheqjen e parë dhe as në këtë të fundit por se Ali Gashi është keq-përdorur si “kokë turku” për të shpëtuar kokat politike. Për arsye të panjohura për KMDLNj-në, tragjikokomikisht e ka luajtur rolin e kamikazit prandaj aspak nuk do të ishte befasi nëse shkarkohet – dorëhiqet nga ky post. Madje, befasi do të ishte nëse mbetet në këtë post.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), më së paku ose aspak nuk ka përgjegjësi për rastin e dhunimit të një vajze 11-vjeçare, as morale e as materiale prandaj asnjë dorëheqje nuk mund të kërkohet me këtë rast.
KMDLNj-ja është i befasuar pse deri më tani askush nuk ka dhënë apo ofruar dorëheqje për shkak të përgjegjësisë politike! E tërë përgjegjësia po kërkohet nga Policia e Kosovës, ShKK, prokuroria dhe gjyqësori i Kosovës. Ndërkaq, me çdo kusht po përjashtohet përgjegjësia politike.
KMDLNj-ja kërkon që të mos ndërhyhet në hetimin e rastit të dhunimit të 11- vjeçares sikur që të mos kërcënohen nga pozitat politike as prokurorët e as gjykatësit deri në përfundim të hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Veçimi i adresimit të përgjegjësisë te disa emra të përveçëm në polici, ShKK, prokurori dhe gjyqësor, pa bërë asnjë hetim me të cilin do të provohej përgjegjësia e tyre paraqet ndërhyrje flagrante në pavarësinë e këtyre institucioneve që i kanë përgjegjësitë e ndara sikur që është gjithashtu përpjekje flagrante për t’i ikur përgjegjësisë politike. Nga aspekti i të drejtave të njeriut është e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat demokratike.



