
A do t’i blejë Serbia aksionet ruse në NIS?
A ka bërë Serbia zyrtarisht ofertë për blerjen e aksioneve të Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS)?
Kësaj pyetjeje nuk i është përgjigjur Ministria e Minierave dhe Energjisë, megjithëse kështu kishte deklaruar më herët gjatë gushtit drejtori i ndërmarrjes Srbijagas, Dushan Bajatoviq.
Bajatoviq, sipas mediave, në fillim të gushtit tha se Serbia do ta blinte këtë kompani, por pala ruse thotë se NIS-i nuk është në shitje.
As Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje nga drejtori i Srbijagas-it për më shumë detaje se çfarë ka ofruar Serbia. Përgjigje nuk ka pranuar as nga NIS-i.
NIS-i është futur në listën e sanksioneve amerikane në janar, për shkak të lidhjeve me Gazprom Neft-in rus, i cili ndodhet nën sanksionet perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Më 28 korrik, ShBA e shtyu për herë të pestë zbatimin e sanksioneve.
Çfarë ka ndërmarrë pala serbe dhe çfarë ajo ruse?
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha në janar se po kërkohet “dalja e plotë e Rusisë nga pronësia e NIS-it”, për çka do të jetë e nevojshme një transformim i pronësisë.
Më 14 mars, NIS-i i ka paraqitur Departamentit amerikan të Thesarit një kërkesë për heqjen nga lista e sanksioneve, ndërkohë që Gazprom Neft ka transferuar rreth 5 për qind të pjesës së vet te Gazprom, një kompani ruse që nuk është e përfshirë në sanksionet perëndimore.
Aktualisht, pjesëmarrja pronësore e Gazprom Neft-it në NIS është rreth 44.9 për qind, shteti i Serbisë ka 29.9 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom rreth 11 për qind. Aksionet e tjera u takojnë aksionarëve më të vegjël.
Ministrja e Energjisë së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, tha më 12 gusht se, duke e parë në aspektin afatgjatë, gjendja aktuale me shtyrjen e sanksioneve ndaj NIS-it në baza mujore “po sjell shumë pasiguri”.
“E vetmja zgjidhje afatgjatë për NIS-in është heqja nga lista e sanksioneve”, theksoi ajo.
Ajo më herët, në korrik, kishte thënë se po ndërmerren “masa konkrete për të ulur pasiguritë në funksionimin e NIS-it”.
Ndër të tjera, siç deklaroi atëbotë, është në proces zgjedhja e dy anëtarëve të pavarur të Bordit të Drejtorëve “me qëllim përmbushjen e kërkesave të OFAC-ut (Zyra për Kontrollin e Pasurisë së Huaj në Departamentin amerikan të Thesarit) lidhur me menaxhimin e kompanisë”.
NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës si dhe prodhimin e gazit natyror.
“Blerja e detyruar ose riorganizim”
Millan Kovaçeviq, ekspert për investime të huaja, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka mundësinë që ta detyrojë “palën ruse” të shesë në paketën aksionet që ka në NIS, por nuk e bën këtë për interesa politike.
“Nëse ndonjë anëtar i kompanisë e vështirëson suksesin thjesht duke qenë anëtar, tërë veprimtaria e kompanisë duhet të jetë nënshtruar suksesit të saj. Pra, ekziston mundësia që dikush të ‘detyrohet’ të dalë nga pronësia, por pyetja është nëse Serbia do të ndjekë këtë rrugë”, thotë ai.
Serbia, megjithëse është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon të harmonizohet me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. Zyrtarët e Serbisë mbajnë kontakte me homologët rusë edhe gjatë kohës kur pushtimit rus i Ukrainës po vazhdon, ndërsa Serbia shpreson në mbështetjen e Rusisë në negociatat për Kosovën, ish-provincën e saj, të cilën nuk e njeh si shtet të pavarur.
Kovaçeviq thekson se ekziston edhe mundësia e riorganizimit të NIS-it, ku “biznesi transferohet në një kompani me pronësi të ndryshme”.
Sipas tij, është i kuptueshëm pozicioni i partnerit rus, i cili nuk dëshiron të shesë pjesën e aksioneve.
Sipas të dhënave të NIS-it, vëllimi i investimeve në këtë kompani që nga viti 2008, kur kompania u privatizua, arrin mbi 4 miliardë euro.
“Në kushte normale, një transaksion varet nga fakti nëse shitësi është i gatshëm të shesë. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë për një transaksion të thjeshtë. Duhet parë sa e dëmshme është për kompaninë që ata (partnerët rusë) mbeten”, thotë ai.
Një nga skenarët e përmendur më parë për NIS-in është edhe nacionalizimi. Ai do të ndodhte nëpërmjet një ligji të veçantë të Kuvendit të Serbisë, që parashikon një transaksion me kompensim të caktuar për aksionet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e hodhi poshtë në janar mundësinë e nacionalizimit të NIS-it, duke shtuar se Serbia nuk do të marrë pjesë në konfiskimin e pasurisë ruse.
“Strategjia e tërheqjes”
Ekonomisti Millan Kovaçeviq vlerëson se për momentin nuk duket që Qeveria e Serbisë po ndërmerr hapa që do të zgjidhnin problemin e NIS-it.
“Kam frikë se (zyrtarët e Serbisë) do të vazhdojnë të përpiqen të tejkalojnë të tjerët dhe të ulen ‘në më shumë se një karrige’. Nga kjo mund të dalin kushte edhe më të këqija se tani”, thotë ai.
Ministrja e Minierave dhe Energjetikës, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, tha në korrik se ministria që ajo udhëheq i kishte kërkuar SHBA-së shtyrjen e sanksioneve për 180 ditë, por ShBA-ja i shtyn ato vetëm për 30 ditë secilën herë.
Sipas saj, qëllimi përfundimtar është heqja e NIS-it nga lista e sanksioneve amerikane. Ajo shtoi se për këtë, më e rëndësishme është “progresi në dialogun mes ShBA-së dhe Rusisë”.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kishte sugjeruar se mund të arrihej një marrëveshje me Rusinë për luftën në Ukrainë në të ardhmen e afërt pas takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë më 15 gusht.
Megjithatë, në këtë takim nuk u arrit marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ekonomisti Millan Kovaçeviq vlerëson se për Serbinë nuk është e zgjuar të presë që negociatat mes ShBA-së dhe Rusisë do ta zgjidhin çështjen e NIS-it.
“Këtu mund të arrihet vetëm një shtyrje, jo heqja e sanksioneve. Në varësi të marrëveshjes që do të arrihet për Ukrainën, me kalimin e kohës mund të ketë disa rregullime dhe lehtësime të sanksioneve, por jo heqje radikale”, thotë ai.
Biznesi i NIS-it
Përfaqësuesit e NIS-it njoftuan në gusht se kompania përfundoi gjysmën e parë të vitit me një humbje prej 3.6 miliardë dinarësh (30 milionë euro).
Drejtori financiar i NIS-it tha se, përveç sanksioneve të ShBA-së, në rezultatet e kompanisë ndikuan edhe rënia e çmimeve të naftës në tregun botëror, efekti i stokut të shtrenjtë të naftës dhe produkteve të saj, si dhe rezultati financiar negativ i HIP Petrohemisë, të cilën NIS e mori në pronësi më 2023.
Udhëheqësit e NIS-it gjithashtu njoftuan se do të vazhdojnë të punojnë për heqjen e kompanisë nga lista e sanksioneve të ShBA-së.
Serbia, në vitin 2008, shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë Gasprom Neft për 400 milionë euro.