A do t’i takoj më të gjallë?

16 tetor 2025 | 11:34

Shkruan: Fehmi Pireva

(Fragment nga romani “Kënga dhe Krimi” – Epoka e Jasharëve)

Koloneli nga Shqipëria, Yll Mici, pas përcjelljes së grupit të parë të djemve nga Kosova, po e priste me padurim ardhjen e grupit të dytë. Ndihej i lumtur, sepse pas mbarimit me sukses të stërvitjeve ushtarake, të gjithë po ktheheshin në Kosovë të përgatitur për luftë. Bashkë me Yllin, po merrnin pjesë edhe ushtarakët e tjerë të lartë, si: Hysen Ymeri, Agron Dhimarko dhe Kastriot Hoxha. Djemtë nga Kosova zbrisnin si kurbetçinj nga busi me trastat mbi supe, pa fjalë dhe të heshtur, por me shumë vullnet dhe besim. Kishte një marrëveshje mes përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe shtetit shqiptar për fillimin e stërvitjeve ushtarake. Dhuna e regjimit serb sa vinte e bëhej çdo ditë e më e padurueshme. Dajti qëndronte lart dhe krenar me sy dhe vesh drejtuar nga Tirana. Nuk priste vetëm vizitorë të pasionuar pas natyrës së bukur. Para kësaj mrekullie, Dajti pranonte përshëndetjet më të ngrohta të djemve të ardhur nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Ata hapëronin me krenari drejt shtigjeve malore, shkelnin aty-këtu lehtësisht mbi gjethet e këputura nga erërat e mbrëmshme të ardhura nga drejtimi i Adriatikut. Kosovarët, kësaj radhe, me vete po e sillnin një copë vjeshte të ftoftë Kosove, një copë qiell të vrarë nga zymtësia, por jo të pashpresë. Atyre lehtë u lexohej në fytyrë dëshira për liri. Kjo pamje dukej më e theksuar te Adem Jashari se te çdo njeri tjetër. Serioziteti, guximi, heshtja dhe urtësia ishin pleksur si tipare tepër të veçanta, me çka e bënin një çikëz enigmatik në sytë edhe të atyre njerëzve që e njihnin më pak. Këtë “enigmë” nuk do ta kapte lehtë as mendja e kolonel Micit. Ishte brendësia shpirtërore që ia krijonte pa dashje një lloj simetrie. Që të dukej nga familja dhe miqtë më i hapur, më pak i ndrojtur, do t’ia ketë prishur një çikëz nuancën e kësaj simetrie natyrale. Për ta zbutur pak, por jo aq sa t’ia prishte hijen e rëndë të burrit-trimit dhe komandantit, tani në krye të mbi tridhjetë e ca djemve, që vullnetarisht ia kishin mësyrë një kazerme ushtarake në Surrel, asaj qendre stërvitore, ku çdo ditë shqiptarët të ardhur nga çdo skaj i botës nuk reshtnin duke kërkuar që t’u hapej dera për t’iu nënshtruar kursit intensiv për përgatitje profesionale, psikike dhe fizike për luftë. Të gjithë kursantët me entuziazëm përkushtoheshin për ta zotëruar anën praktike dhe teorike të stërvitjeve. Kolonel Yll Mici e kryente punën me përgjegjësi, pasi e dinte se përballja me një nga ushtritë më të fuqishme, siç ishte Serbia, përveç guximit dhe shkathtësisë, kërkonte profesionalizëm prej secilit ushtar. Adem Jashari do t’i mahniste me suksesin e treguar në të gjitha fazat përgatitore. Një shenjëtar i paparë dhe i saktë në të gjitha gjuajtjet gjatë përdorimit të disa llojeve të armëve. Ai nuk do të dështonte të godiste dhe të shkatërronte atë lloj tanku të sajuar për gjuajtje, sa e shkëputi nga toka drejt qiellit qysh predhën e parë të mortajës së krahut. Kjo kishte rëndësi, kur dihej se çdo pëllëmbë e Kosovës, kushedi sa e sa herë po shkelej nga qindra-mijëra tanke dhe mjete të tjera të blinduara. Kolonel Micit, pas përcjelljes së kursantëve të grupit të dytë, i shtohej besimi dhe shpresa se po ia arrinin qëllimit që Kosovës t’i ofronin djemtë më të mirë, të cilët premtonin shumë për luftën dhe çlirimin e saj. Dajti pritej të hynte në stinën e dimrit, dhe maja e tij e lartë pritej të vishej me të bardha si me një vello nusërie, si diçka më e veçantë, ndoshta një grimë nën petkun ceremonial. Po i gëzohej suksesit të djemve nga Kosova, i bëhej se po e parandiente që liria nuk do të ishte e largët për t’u kremtuar një ditë. Po, ajo do të vinte një ditë, kur Dajti do të vishej ndryshe, me një pranverë me diell, i shoqëruar me këngë bilbilash; do të këndohej sërish aty ku e kish lënë në gjysmë këngën “Për mëmëdhenë” të kënduar nga Adem dhe Hamzë Jashari. Delegacioni me ushtarakët nga Shqipëria arriti te porta e hyrje-daljeve nga kazerma. Po përcillej grupi i dytë i kursantëve. Ylli Micit e ndiente një trazim emocional. Ishte mes lotëve të gëzimit dhe dhembjes. Ndjenja e fundit disi po merrte hov zjarrmishëm. Tha me vete: “A do t’i takoj më të gjallë? A do të përqafohem me të gjithë pas çlirimit të Kosovës?” E kuptonte se lufta do të jetë shumë e ashpër. Por, liria kërkon jetë njerëzish që e duan vendin – lirinë! Do ta merrte në përqafim Adem Jasharin, tani të armatosur. Do t’i ngelnin thellë në kujtesë: sytë e tij zhbirues, pamja e një djali të burrëruar para kohe, i shkathët për ta zotëruar artin e luftës. Hetohej dëshira e madhe që sa më parë të ikte drejt Kosovës, e cila po përjetonte gjëmë të mëdha, si një i sëmurë, me ethe dhe zjarrmi. Pishat e Dajtit sikur po vesonin pikëllueshëm. Një lloj qarje e pazakontë, krejtësisht e natyrshme. Po shtrëngoheshin fort për shkëmbinj. Donin të ecnin në rresht, pas tridhjetë e ca djemve të ardhur nga Kosova, siç ecën një lloj peme në Amerikën Latine sa herë ka nevojë për më shumë hise në shi dhe diell. Adem Jashari kishte mbështetur kokën në xhamin e busit të ushtrisë shqiptare dhe po e linin repartin ushtarak të Surrelit, duke marrë drejtimin drejt veriut të ftoftë të Shqipërisë. Diku gjatë rrugës malore një shi përplasej furishëm mbi dritare, ngjante mu si një shi historik, të sezoneve të kamotshme, kur shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria ia mësynin shkuarjes për të ngritur flamurin në Vlorë. Ndërsa, diku në rrugët malore karrocës që sillte Ismail Qemalin po i trashej balta që ta vononte arritjen me kohë. Kthesat e shpeshta shkaktonin ca turbulenca dhe lëvizje brenda busit,sa të gjithë pjesëmarrësit, tani me epitetin e ri të ushtarit, tundnin kokat në shenjë përshëndetjeje me malet e ashpra. Të gjithë ishin të kënaqur me pritjen, përgatitjet dhe seriozitetin e ekipit të ushtarakëve, secili nga fusha e vet bëri shumë. Vetë Adem Jashari ndihej mirë për sukseset dhe vlerësimin që ua kishin bërë në mbarim të misionit. Pas ndarjes me kolonelin Ylli Mici, për të cilin kishte një respekt të veçantë, shprehu falënderimet më të sinqerta. Disi e rëndonte në shpirt mëdyshja në do të mund ta takonte sërish, por….? Ktheu kokën prapa duke zgjatur dorën mbi dritare, sikur po ia jepte lamtumirën e fundit. Sytë e tij arritën të kapnin pamjet e fundit të majave më të larta të malit Dajt. Po merrte prej tij një urim të veçantë për t’ua përcjellë maleve në Kosovë: “Qëndroni, qëndroni të palëkundura nga erërat e forta dhe të ftohta. M’i përballofshi me sukses goditjet nga predhat e artilerisë së rëndë të ushtrisë serbe! Sa më shpejt ma gëzofshi lirinë!”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi do të debutojë sonte ne grupet e FIBA Europe…