A do t’u kërkoni falje qytetarëve që keni gënjyer se i keni votat për Qeveri – përgjigjet Albulena Haxhiu
Për muaj të tërë derisa Kuvendi i Kosovës s’po konstituohej, zyrtarë të Lëvizjës Vetëvendosje kishin deklaruar se i kanë numrat për qeverinë dhe se do ta formonin atë kur të zgjidhej ngërçi në Kuvend.
Vetë kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte kërkuar të testohej nëse i kishte ose jo numrat derisa këmbëngulte se duhej të votohej për kryetare të Kuvendit e propozuara e tyre Albulena Haxhiu.
Por, kur u zhbllokua situata dhe u thirr seanca për formimin e qeverisë, Kurti ra nga provimi. Ai shkoi në Kuvend pa marrëveshje dhe s’mori votat e nevojshme.
Për këto zotime të Vetëvendosjes se i kanë numrat sot gazetarët u përpoqën ta mbajnë përgjegjëse nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“A do t’i kërkoni falje që keni gënjyer?”, ishte pyetja e një gazetari. Haxhiu tha se Qeveri Kurti III do të ketë, por se “përkohësisht” s’ka.
“Mendoj që qytetarët e Kosovës, sikurse ju, e keni parë që Qeveria Kurti s’është votuar. Por, nuk është votuar vetëm përkohësisht sepse ajo do të bëhet. Natyrisht që do të ketë Qeveri Kurti III”, ishte përgjigjja e Haxhiut.



