A e tradhtoi Orbani pakicën hungareze?

03 shtator 2025 | 08:05

Vetëm pak javë më parë, Viktor Orbán tha se një vdekje të vetme e një hungarezi në Ukrainë paraqet një sulm ndaj të gjithë kombit hungarez. Bëhej fjalë për një rekrut me origjinë hungareze në rajonin perëndimor ukrainas të Transkarpatisë, ku jeton edhe pakica hungareze.

Ai vdiq në spital në rrethana ende të pashpjegueshme pasi dezertoi nga një kamp stërvitjeje ushtarake. Orban, qeveria e tij dhe partia Fidesz, deklaruan se kjo ishte një vrasje nga shteti ukrainas.

Më pas ndodhi diçka në Transkarpati që në fakt i përshtatet shumë më tepër kategorisë së sulmeve ndaj kombit hungarez. Por këtë herë udhëheqja hungareze reagon me përmbajtje.

Bëhet fjalë për një sulm të madh ajror rus ndaj Ukrainës të enjten e kaluar (21 gusht). Dy raketa ruse goditën qytetin perëndimor ukrainas të Mukachevo (Munkács), ku jetojnë shumë hungarezë etnikë. Për më tepër, qyteti luan një rol të rëndësishëm në vetëdijen kombëtare hungareze: Transkarpatia i përkiste pjesës hungareze të Monarkisë Habsburge deri në vitin 1918.

Megjithatë udhëheqja shtetërore hungareze nuk e dënoi fare sulmin. Raketat goditën fabrikën e kompanisë amerikane Flex, ku montohen pajisje shtëpiake, dhe e shkatërruan pjesërisht atë. Sipas informacionit zyrtar ukrainas, fabrika prodhon vetëm për sektorin privat dhe punëson rreth 2,800 persona. Më shumë se 20 persona u plagosën rëndë në këtë sulm. Munkacs ka afërsisht 85,000 banorë, nga të cilët rreth nëntë përqind janë hungarezë.

Ku humbi emërtimi “rus”?

Presidenti hungarez Tamas Sulyok shprehu “ngushëllimet e tij të thella për të plagosurit në sulmin me raketa ruse” në një postim në Facebook në mëngjesin e 21 gushtit. Por menjëherë pas kësaj, u zhduk emërtimi “rus” nga postimi. Vetëm disa orë më vonë foli vetë Viktor Orban. Ai shkroi në Facebook se “pasojat e sulmit me raketa ruse mbi Munkacs” u diskutuan gjatë mbledhjes së kabinetit. Përpjekjet për paqe duhet të vazhdojnë, shtoi Orban.

Fakti që kryeministri hungarez dhe stafi i tij e kanë akuzuar rrejshëm Ukrainën për përpjekje për të shkatërruar identitetin dhe kulturën e pakicës hungareze për vite me radhë dhe nuk e kanë dënuar me asnjë fjalë sulmin rus, e tronditi thellësisht publikun hungarez, i cili është kritik ndaj qeverisë në Budapest. Reagime të shumta shpërthyen në rrjetet sociale në lidhje me “presidentin frikacak” dhe “standardet e dyfishta të qeverisë besnike ndaj Kremlinit”.

Lideri i opozitës hungareze Peter Magyar e quajti presidentin një “kukull”. Shkencëtari politik Zoltan Lakner shkroi në Facebook se reagimet e qeverisë hungareze tregojnë “sa larg ka arritur sovraniteti në raport me Putinin: aspak”.

Reagimi “jo i habitshëm”

Shkencëtari politik ukrainas, studiuesi i fashizmit dhe eksperti i ekstremizmit të krahut të djathtë evropian Anton Shekhovtsov i tha DW se mënyra se si reagoi qeveria hungareze ndaj sulmit nuk ishte e habitshme. “Pavarësisht se është anëtare e BE-së, Hungaria nën Orban është një regjim pro-rus dhe ka zhvilluar fushata anti-ukrainase për një kohë të gjatë”, tha Shekhovtsov.

Episodi i fundit pro-rus dhe anti-ukrainas në Hungarinë e Orbanit është një tjetër dëshmi për qëndrimet e Orbanit. Në muajt e fundit, Orbani ka zhvilluar një fushatë publike jashtëzakonisht të ashpër në Hungari kundër Ukrainës dhe anëtarësimit të saj në BE. Në të, vendi fqinj dhe populli ukrainas përshkruhen hapur si një shtet mafioz dhe kriminelë brutalë.

Marrëdhëniet midis Hungarisë dhe Ukrainës janë aktualisht në një nivel shumë të ulët për shkak të sulmit të ushtrisë ukrainase ndaj tubacionit rus të naftës Druzhba. Hungaria i përshkruan sulmet si një shpallje lufte ndaj Budapestit dhe Bashkimit Evropian, pasi shkatërrimi i tubacionit dyshohet se do të kërcënojë sigurinë energjetike evropiane.

Mbrojtësi i pakicave

Orientimi pro-rus i Orbanit ka rrënjë të thella. Fokusi aktual është kryesisht në situatën politike të brendshme në Hungari. Kryeministri përballet me humbjen e pushtetit në zgjedhjet e pranverës 2026. Një nga taktikat e tij të fushatës është të portretizojë veten si një politikan kundër luftës, të demonizojë BE-në si një “nxitës lufte” dhe të nxisë paragjykime kundër Ukrainës dhe popullit ukrainas.

Megjithatë, të heshtësh për sulmet ruse ndaj objekteve dhe bizneseve civile në Transkarpati mund të jetë një gabim. Orbani e ka shpallur veten dhe qeverinë e tij mbrojtësin suprem të anëtarëve të pakicës hungareze që jeton në vendet fqinje. Megjithatë, në një rast si sulmi i fundit, orientimi pro-rus i Orbanit bie ndesh me pretendimin e tij për të qenë një forcë mbrojtëse për pakicën hungareze.

Në Transkarpati, një numër i konsiderueshëm hungarezësh etnikë deri më tani kanë besuar se rajoni ishte i sigurt nga sulmet ruse, sepse Orbani mbështeti Presidentin rus Vladimir Putin. Kjo tani më nuk vlen. Edhe pse ka pasur dy sulme me dronë në rajon në vitin 2023 dhe 2024, ato nuk ishin aq serioze sa ky.

Besnikëria ndaj Putinit

Fakti që Orban nuk e dënoi qartë sulmin rus mund të çojë në ashpërsimin e ndjenjave tek hungarezët ukrainas, si dhe tek ata në Rumani. Orban tashmë i ka ofenduar këta të fundit kur bëri thirrje për zgjedhjen e kandidatit të ekstremit të djathtë dhe anti-hungarez George Simion në zgjedhjet presidenciale rumune në maj 2025 – bazuar në supozimin se Presidenti Simion mund të jetë aleati i tij në BE.

Sakrifikimi i interesave të pakicës hungareze në Ukrainë nga Orbán për të treguar besnikërinë e tij ndaj despotit rus Putin mund të jetë një llogaritje strategjike afatgjatë – duke e rikthyer përfundimisht rajonin nën sundimin hungarez.

Shkencëtari politik Shekhovtsov nuk beson se Hungaria do të përdorte forcën ushtarake për këto qëllime, sepse nuk është mjaftueshëm e fortë për ta bërë këtë. “Por Orban shpreson që Ukraina të shpërbëhet si shtet”, thotë Shekhovtsov. “Atëherë ai mund ta pushtojë atë territor pa luftë, sikur që bëri Hitleri me Çekosllovakinë në vitet 1938/39.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri sllovak Robert Fico tha se pas takimit me Presidentin…