
A është Evropa e gatshme ta mbrojë veten pa ShBA-në?
Për tre muaj dinamik, administrata Trump i ka dërguar një mesazh të qartë Evropës: Je vetëm.
Shtëpia e Bardhë në këta 3 muaj ka përmbysur politikën e jashtme amerikane të ndërtuar në dekada të tëra, është zotuar që do ta ulë praninë e saj në kontinent, ka nxitur marrëveshje për përfundimin sa më të shpejtë të luftës në Ukrainë, edhe nëse kjo nënkupton dorëzimin e tokave ukrainase te Rusia.
Pra, ky realitet i ri është diçka me të cilin Evropa ende është duke mësuar të përshtatet. Janë 80 vjet pas javës ku amerikanët dhe evropianet bashkë detyruan Gjermaninë naziste të dorëzohej, e tani, një e ardhme ku kontinenti lihet të mbrohet vetë nga kërcënimi rus nuk është më veç hipotetike.
Një ish-ministër Italian, Roberto Cingolani, tani drejtor ekzekutiv i gjigantit evropian të mbrojtjes Leonardo, ka thënë për CNN, se “Evropa ka jetuar për 80 vite në një situatë në të cilën paqja merrej si e mirëqenë dhe falas”, duke shtuar tutje se tani situata ka ndryshuar.
“Tani, krejt papritur, pas pushtimit të Ukrainës, e kuptojmë se paqja duhet të mbrohet. Një garë e shpejtë po zhvillohet në shtetet anëtare të NATO-s në Evropë për të përgatitur kontinentin në rast të përballjes me Rusinë. Gara është e fitueshme: Evropa krenohet me ushtri të mëdha dhe të shtrenjta sa për të mbyllur të paktën pjesërisht boshllëkun që Uashingtoni po kërcënon të lë,” është shprehur Cingolani.
Megjithatë, dihet se për t’u përgatitur për skenarin më të keq, ushtritë në Evropën Perëndimore kanë nevojë për një fluks serioz të fondeve dhe ekspertizës. Vetëm Britania, Franca dhe Gjermania janë vendet që në vitet e fundit kanë derdhur më shumë fonde në ushtritë e tyre, dhe dihet se mund të duhen disa vite derisa ndikimi i këtyre fondeve të ndihet në vija të frontit.
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, në Evropën Perëndimore është zbehur numri i trupave, armatimi dhe gatishmëria ushtarake. Ndërsa kombet më afër kufirit rus janë duke lëvizur më shpejt, ku edhe sipas administratës Trump, Polonia është një shembull i vetëmjaftueshmërisë.
Megjithatë dihet se rritja e shpejtë e shpenzimeve të mbrojtjes nga Polonia, më shumë ka të bëjë me tensionet e vjetra që ka pasur me Rusinë, brez pas brezi sesa me dëshirën për të fituar vend në favor të Trump, pasi Varshava dhe Uashingtoni janë në kundërshtim në lidhje me konfliktin ne Ukrainë. Polonia është vendi që për vite me radhë e ka paralajmëruar Evropën për kërcënimin që paraqet Rusia, duke mbështetur me vendosmëri fqinjin Ukrainën ndërsa mbrohet nga Rusia.
ShBA-të kanë një prani të konsiderueshme ushtarake në Evropë
Në vitin 2024, ShBA-të kishin rreth 80,000 trupa të stacionuara në Evropë, një forcë ushtarake më e madhe se gati e të gjitha vendeve evropiane. Ky numër është ende vetëm një pjesë e vogël e totalit prej 1.3 milion trupash amerikane. Këto trupa janë stacionuar në Europë që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe janë shtuar ndër vite.
Pra, për dekada të tëra, politika e jashtme amerikane ka theksuar rëndësinë e vendosjes së trupave, jo vetëm për sigurinë europiane po edhe për vetë sigurinë e ShBA-së. Trupat ushtarake të vendosura në kontinent ofrojnë mbrojtje të avancuar, ndihmojnë në trajnim të forcave aleate dhe menaxhojnë kokat bërthamore.
Megjithatë, tani e ardhmja e këtyre trupave nuk është shumë e qartë. Dihet se liderët europianë kanë kërkuar publikisht nga Uashingtoni të mos e ulë numrin e tyre, por Trump, Hegseth dhe Zëvendëspresidenti JD Vance e kanë bërë të qartë qëllimin e tyre për të forcuar më shumë pozicionin ushtarak të ShBA-së në Detin e Kinës Jugore.
Sot, shumica e bazave tokësore dhe ajrore të ShBA-së ndodhen në Gjermani, Itali dhe Poloni, duke ofruar një kundërpeshë ndaj kërcënimit rus, ndërsa vendndodhjet detare dhe ajrore në Turqi, Greqi dhe Itali mbështesin gjithashtu misionet në Lindjen e Mesme.
Sipas Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane me seli në Uashington, këto vendndodhje shërbejnë si “një themel thelbësor për operacionet e NATO-s, parandalimin rajonal dhe projektimin e fuqisë globale”. Ndërsa, pa ShBA-në, Europa ka shumë pak mjete parandaluese bërthamore.
Armët bërthamore amerikane në Europë kanë qenë shtylla kurrizore e strategjisë së parandalimit të NATO-s. Pa to, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të ishin fuqitë e vetme bërthamore të Evropës, ndërsa numri i kokave të tyre bërdhamore bashkë është i pakët në karahasim me Rusinë, 1 me 10. Pra, pengesa më e rëndësishme që ka Europa janë kokat e saj bërthamore.
Dihet se gjatë fazave të hershme të luftës së Rusisë në Ukrainë, Presidenti Vladimir Putin shkaktoi vazhdimisht alarm në mbarë botën duke lënë të kuptohet se mund të përdoret një armë bërthamore. Edhe pse më vonë ky “kërcënim” u ul, parandalimi bërthamor është një fushë në të cilën Europa varet shumë nga ShBA-ja, pasi, siç e thamë Britania dhe Franca kanë vetëm një të dhjetën e arsenalit që posedon Rusia. Kurse, ShBA posedon afërësisht të njejtin numër me Rusinë, dhe dhjetëra prej kokave bërthamore të saj ndodhen në Europë.