A gjuanin turistët njerëz në Sarajevë?
Dominik Straub, Romë
Ajo që Ezio Gavazzeni ka mbledhur nga dëshmi dhe materiale, ta ngrin gjakun në damarë:
Në vitet 1993 dhe 1994, gjithsej mbi njëqind gjahtarë të huaj, të cilët nuk kishin më dëshirë të gjuanin vetëm dre, kaprollë e derrë të egër, thuhet se kanë paguar nga 80 mijë deri në 100 mijë euro për të vrarë njerëz.
Sipas hulumtimeve të Gavazzenit, këtë mundësi ua kishte ofruar shërbimi sekret serb, i cili gjatë rrethimit të Sarajevës në kodrat përreth kryeqytetit boshnjak ka organizuar të ashtuquajturat “safari njerëzish”. Një detaj veçanërisht i tmerrshëm: nëse viktima ishte fëmijë, çmimi për vrasjen ishte më i lartë.
Gavazzeni, një autor jo shumë i njohur në Itali, kishte dorëzuar që në janarin e kaluar një dosje 17-faqëshe për këto gjueti njerëzish në Prokurorinë e Milanos. Këto ditë është bërë e ditur se prokurori milanez i specializuar për terrorizëm, Alessandro Gobbis, do të nisë hetimet për vrasje me paramendim nga motive të ulëta – mbi 30 vite pas krimeve të supozuara horror.
Sipas dosjes së Gavazzenit, mes pjesëmarrësve në “safaritë e njerëzve” gjendeshin të paktën pesë shtetas italianë nga Milano, Torino e Trieste. Por prokurori Gobbis ende nuk ka regjistruar asnjë të dyshuar konkret.
Gjatë rrethimit të Sarajevës nga regjimi kriminal serb i Slobodan Millosheviqit, midis viteve 1992 dhe 1996 humbën jetën mbi 11 mijë civilë. Rreth 1000 prej tyre u vranë nga snajperët në “Sniper Alley”, një bulevard i gjerë i Sarajevës.
Dëshmitari kryesor i Gavazzenit është një ish-agjent i shërbimit sekret boshnjak, me emrin Edin Subasić. Ai pohon se në vitin 1993 e kishte informuar shërbimin sekret ushtarak italian, SISMI, për “safaritë” dhe pjesëmarrjen e italianëve.
SISMI, sipas tij, kishte marrë dy a tre muaj kohë për të kthyer përgjigje dhe në vitin 1994 kishte shkruar: “Zbuluam se safaritë nisen nga Trieste. Ne i kemi ndalur, dhe tani nuk ka më safari.”
Klientelë me ndikim
Në dosje gjendet edhe një letër e agjentit Subasić dërguar Gavazzenit, në të cilën ai jep një përshkrim dhe një lloj psikogrami të snajperistëve-turistë: “Bëhet fjalë për gjahtarë pasionantë, që kanë provuar të gjitha llojet e safarive ligjore dhe që kërkonin një adrenalinë shtesë nga një trofe njerëzor; persona që duan armët dhe ndërkohë janë psikopatë (…).”
Të gjithë ishin të pasur “dhe me shumë gjasë njerëz me ndikim”. Ata kishin para dhe fuqi politike për t’u mbrojtur nga hetimet e mundshme.
Sa të besueshme janë të gjitha këto deklarata dhe dokumente që Gavazzeni i ka dorëzuar prokurorit, do të bëhet e qartë vetëm gjatë hetimeve.
Sipas Subasićit, dosjet përkatëse boshnjake janë të klasifikuara si “sekrete” dhe të paqasshme. Po ashtu, ende nuk dihet nëse letra e SISMI-t drejtuar shërbimit sekret boshnjak ka ekzistuar ndonjëherë – ajo në të cilën italianët do të kishin deklaruar se “Safari” ishte ndërprerë.
Aktualisht dihet vetëm se historia e “turizmit të snajperëve” në kodrat e Sarajevës nuk është e re. Gazeta “Corriere della Sera” kishte raportuar që në vitin 1995 – pra ende gjatë rrethimit – për këtë fenomen, me titullin: “Pushime në Bosnje, përfshirë edhe të shtënat.”
Në vitin 2022, kjo histori horror u trajtua në dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zupanič; ndër producentët e filmit ishte edhe Al Jazeera Balkans. Filmi bazohet në raporte anonime për të huaj që ishin parë në pozicionet boshnjako-serbe gjatë luftës.
Gavazzeni shpjegoi këtë javë në një intervistë për gazetën “La Repubblica” se ky dokumentar kishte ringjallur interesin e tij për këtë histori.
(“Luzerner Zeitung”, 14.11.2025, faqe 1 dhe 7)



