A i është rikthyer ambasadorit Hill dëshira për Kosovën me autonomi substanciale?

17 gusht 17:10

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Deri ku shkon kompromisi: Kosova është para një sfide të madhe. Edhe kjo pavarësi, pa sovranitet të plotë mbi një integritet territorial të munguar, po rrezikohet si nga injoranca, mediokriteti dhe pafuqia e politikanëve kosovarë, po ashtu edhe nga agresiviteti, dhuna dhe brutaliteti i politikës serbe, e cila, çuditërisht, po heshtet nga politika ndërkombëtare dhe qendrat e vendosjes. Jemi dëshmitarë se një kohë të gjatë po dhunohemi nga ndërmjetësuesit dhe “lehtësuesit“ ndërkombëtarë si soji dhe lloji i bareshës Ashton, dona Federika Mogerinit dhe, së fundi e më së shumti, nga dy mashtrues ordinerë dhe mohues institucionalë dhe shtetërorë të pavarësisë së Kosovës, Borrellit dhe Lajçakut, njëri nga Shumadia e tjetri nga Beogradi sa i përket përcaktimit politik. Çështjen e Kosovës e kanë tjerrë hollë e hollë sipas parimit, tjerre dhe të mos e këputet, në mënyrë që kjo të zgjasë sa më shumë dhe sa më gjatë. Çështjen e Kosovës po e përdorin për sistemimin dhe promovimin e politikave, hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve të dështuar dhe të korruptuar ndërkombëtar, që nga koha e paraluftës, luftës, Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut dhe të EULESH-it e deri te monstrumi i sotëm juridik, Gjykata Raciste Speciale e Mongolisë, e maskuar si gjykatë e Kosovës.

Serbia ka ndërtuar një mekanizëm paralel shtetëror në Kosovë me ndihmën e kriminelëve të luftës dhe të paqes me të cilin ka ndërtuar një shtet brenda shteti dhe të cilin e vë në veprim çdoherë kur i duhet për arritjen e qëllimeve politike. Sikur që tani po vepron duke i rikthyer barrikadat në veri të Kosovës dhe duke dhunuar Policinë e Kosovës në kryerjen e detyrimeve ligjore. Ndërkombëtarët, në përpjekje, kinse për të na ndihmuar thuaja janë shndërruar në pjesë të strukturave paralele; thonë se mund ta integrojmë veriun por vetëm në mënyrë paqësore ndonëse vet u detyruan ta bombardojnë Serbinë shkaku se nuk u përfillë alternativa paqësore. Për ta bërë më të lehtë sundimin dhe shndërrimin e destabilizimit në mënyrë të sjelljes, veprimit dhe jetesës, aq thellë e kanë përçarë hapësirën politike kosovare, madje edhe shqiptare sa që, në jo pak raste më shumë zhvillohet luftë midis subjekteve politike kosovare dhe shqiptare se që kundërshtohet Serbia dhe strukturat paralele. Interesant që në të gjitha ekipet negociatore, spiritus movens e vendimeve ka qenë ndikimi i pasardhësve biologjikë dhe politikë i ish-bashkëpunëtorëve të Jugosllavisë dhe të Serbisë, dhunues të çdo përpjekjeje për çlirim , liri dhe bashkim kombëtar apo edhe shtet të mëvetësishëm. Këta ishin pjesë e të gjitha qeverive kurse në qeverinë Kurti 2 janë shpirti dhe truri që kanë metastazuar në të gjitha segmenetet institucionale të Kosovës.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, me më shumë se 50 për qind të votave, po përballet me probleme të shumta, në dukje të papërballueshme , qoftë për shkak të problemeve të trashëguara, megallomanisë që e përcjellë në çdo paraqitje dhe veprim, politikes kriminele të Serbisë dhe oportunizmit dhe politikës anuese të vendimmarrësve ndërkombëtarë sikur edhe krizës globale që po e bënë jetën e pajetueshme në Kosovë dhe thuaja në tërë botën. Përkundër të gjitha këtyre problemeve, më shumë të natyrës objektive, kryeministri Kurti po sillet si Valentino Corleone duke luajtur lojën e “ruletës ruse” me qytetarët e Kosovës. Në vend se të jetë shumë dashamirës me opozitën, kjo që është në vend se të veprojë në planin ekonomik për të lehtësuar, qoftë edhe vetëm pak gjendjen e qytetarëve të Kosovës ndaj të cilëve po e vazhdon politikën e qeverive të mëparshme të diskriminimit në baza etnike dhe politike, e ka bërë kabinetin qeveritar me eunukë intelektualë, profesionalë dhe politikë për ta ruajtur haremin të cilin e quan qeveri të Kosovës. Në kohë krize, pasiguria ekonomike dhe politike përpjesëtohet për të gjithë kurse megalomania duhet të dërgohet atje ku edhe mund të trajtohet profesionalisht, në Klinikën Psikiatrike dhe jo të serviret si model i suksesshëm i qeverisjes. Deri në një masë klientelizmi politik mund të durohet, sidomos në shtetet e Ballkanit Perëndimor është e palejueshme që klientelizmi politik të përdoret si mjet për ardhje në pushtet kurse, kur ta zbatoni në masë shumë më të madhe se të tjerët këtë e heshtni apo e arsyetoni sikur që është gjëja më e mirë për vendin dhe qytetarët e saj.

Albin Kurti është përballë një presioni të madh ndërkombëtar dhe është vendosur midis darëve që fuqishëm po e ngufatin; midis Serbisë dhe presioneve ndërkombëtare. Opozita e Kosovës është krejtësisht jashtë loje në këtë linçim të Albinit që po i bëhet përmes presioneve. Si njohës i mirë i Revolucionit Borgjez Francez, Albin Kurti e ka të qartë fatin e Dantonit, Robespjerit, Monteskjes dhe udhëheqësve tjerë të cilët për pushtet i dërgonin kundërshtarët në gijotinë për të përfunduar edhe vet në gijotinë. Nuk mund të ndjehet as i lumtur, as i përmbushur e as i sigurt kryeministri Kurti dhe disa ministra paranojakë të kabinetit qeveritarë shkaku se ish-bartësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, krijues të lirisë dhe të paqes janë aktualisht nën gijotinën e Gjykatës Raciste në Hagë, sipas xhelatit Dik Marti shkaku se Albin Kurti domosdoshmërisht do të përfundojë nën gijotinën e burokratëve të Evropës dhe të ndonjë ambasadori të shpenzuar dhe të ricikluar enkas për Kosovën, nëse nuk luan lojën e ndyrë të tyre, deri në fund dhe përtej fundit! Për mendimin tim, kryeministri Kurti, i rrethuar dhe shoqëruar me injorantë, mediokër dhe antikombëtar nuk mund të ketë fat më të mirë përveç gijotinimit. Në rastin më të mirë mund të shpëtojë vetëm nëse tërhiqet nga procesi ku kërkohen kompromise dhe lëshime të dhimbshme të cilat nuk kanë të përfunduar dhe nuk dihet as intensiteti e as vëllimi i këtyre vuajtjeve të dhimbshme. Albin Kurti, nëse do ta ketë një strategji dalëse të dinjitetshme, duhet ta ndërtojë një konsensus politik dhe kombëtar duke lënë anash, mbase edhe përkohësisht megalomaninë dhe duke u liruar nga injorantët dhe antikombëtarët që i ka në qeveri, me tepricë përmes riformatizimit të qeverisë. Duhet ta harrojë hakmarrjen ndaj kundërshtarëve politikë, ndaj atyre që e kanë përkrahur në kohët më të vështira dhe të cilët edhe sot e përkrahin, pa asnjë dyshim dhe shumë më sinqertë se kjo “Çeta e Profetëve Injorantë dhe Antikombëtarë”.

Asociacioni si e propozon Serbia e që po e përkrahin edhe lehtësuesit dhunues ndërkombëtarë është vetëm njëra nga hallkat që pashmangshëm, në të ardhmen, Kosovën do ta shndërrojë në peng të Serbisë dhe do ta bëjë të varur nga Serbia. Për këtë arsye edhe bëhet aq presion tek Albin Kurti, pikërisht për asociacionin apo “Zajednicën”, shprehje dhe armë e LV-së. Së fundi, këmbëngulës dhe partizan i asociacionit dhe kompromiseve të dhimbshme po paraqitet “buldozeri” i diplomacisë amerikane, ambasadori i ShBA-së në Beograd, Kridtofer Hill, luftëtar i pakompromis për autonominë substanciale të Kosovës në prag dhe gjatë luftës në Kosovë. Për këtë arsye i pati thyer shtizat me bacën Adem Demaçi që nuk pranonte asnjë lloj autonomie, dhe pikërisht për këtë, me dëshirë nuk takohej me Hillin. Tash, faktori politik kosovar me dëshirë dhe vullnet të plotë e ka përkrahur Hillin si njeri që do ta detyrojë Kosovën të përkrahë pavarësinë e Kosovës e po del se duhet të detyrohet të pranojë kompromise të dhimbshme që duhet të bëjnë të dyja palët (barazon Serbinë kriminale me Kosovën e dhunuar nga Serbia, si në kohë lufte ashtu edhe në kohë të paqes deri më sot) që nuk është as zgjidhje e drejtë e as e qëndrueshme. Kristofer Hill sidomos insiston për asociacionin sikur të bëhej fjalë për zgjidhje të dy shteteve që kanë marrëdhënie, nëse jo miqësore së paku të konsoliduara e jo midis një shtet skajshmërisht armiqësor ndaj një shteti që vazhdimisht përballet me shantazh dhe detyrime të vendosura nga bashkësia ndërkombëtare. Unë aspak nuk i besoj “qëllimit të mirë” të Kristofer Hillit dhe i kam frikë dinakërisë politike dhe diplomatike që e ka praktikuar që nga ditët e para në Kosovë. Asociacioni i propozuar dhe përkrahur nga Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare paraqet “Nyjën e Gordit” duke krijuar një lidhje të pashkëputshme dhe të kushtëzuar midis Kosovës dhe Serbisë. Para dhe gjatë Konferencës së Dejtonit ishin dhënë zotime se Bosnja nuk do të ndahej dhe se do të ishte në dhe e pandashme. Shihni ku është sot Bosnja, as nuk është një, as nuk është funksionale dhe nuk është aspak e pandashme! Kosova, në këtë kontekst është shumë e ngjashme dhe lehtësisht mund të bëhet më keq se Bosnja. Bosnja ka homogjentitet territorial etnikisht të pastër, Kosova është e leopardizuar territorialisht pikërisht në baza etnike. Albin Kurti duhet të zbresë nga retë e pushtetit, të mos mbahet për degë dhe gjethe, por të mbahet fort për trungu duke iu kthyer rrënjëve kombëtare dhe politike, ndryshe e pret fati i Dantonit sepse retorika për aq sa të lehtëson marrjen e pushtetit, ta shkurton dhe lehtëson rrugën drejt gijotinës, në rastin konkret asaj politike. Takimi nesër në Bruksel është vazhdim i përrallave të mëparshme të të gjitha qeverive të cilat ishin mbuluar me kostume të kushtueshme. Kurse, vet procesi e vë kryeministrin Kurti në pozitë ose të ndahet i mbuluar me do zhele politike e që do të ishte shumë më e ndershme ose të mbesë i lakuriqësuar sikur mbreti në përrallat e Andersonit. Unë në asnjë mënyrë nuk ia dëshiroj këtë të fundit!

Jetësimi i parashikimeve të Ben Nostradamusit: Beni i LDK-së paralajmëroi se disa deputetë do t’i bashkëngjiten LDK-së. Dallëndyshja e parë e këtij shtegtimi politik ishte largimi i Doarsa Kica-Xhelilit (mbiemër shumë i afërt me LDK-në) nga lista s’Guxo! Personalisht nuk jam brengosur aspak sepse sa të jenë në këtë listë Katran Shavrci dhe Haxhiqamili, Lista ka perspektivën… e Mefistofelit. Në çastin e fundit Doarsa ka shpëtuar, politikisht dhe njerëzisht, më së shumti shpirtërisht. Ka kaluar koha e “Shpirtrave të shitur”, besoj fuqishëm!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut, mbrëmë i është vjedhur vetura…