A kanë pasoja kritikat e ambasadave për politizim të operacionit të FSK-së në Ujman?

30 korrik 2025 | 20:56

Në veri të vendit, një ditë më parë shkoi Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila arriti të gjejë trupin e pajetë të mërgimtarit që ishte zhdukur në liqenin e Ujmanit, pasi kishte kërcyer nga ura.

Ky veprim ngjalli reagime të shumta në Prishtinë, e sidomos nga anëtarë të partisë më të madhe në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët thanë se FSK shkoi për herë të parë si ushtri në veri, derisa këtë e konsideruan si sukses të tyre

Por, kjo u pengoi disa diplomatëve të shteteve mike të Kosovës, të cilët reaguan përmes ambasadave të tyre.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha të martën se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së.

Më e butë, por pa kritikuar nuk mbeti as ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

“Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë ta mbështesë plotësisht, sidomos në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, ka theksuar Olivier Guerot, Ambasador i Francës në Kosovë.

Kurse, ambasada e Britanisë dhe ajo e Italisë, nuk kanë folur në lidhje me këtë çështje, por reagimet e tyre i kanë pasur në formë lavdërimi për bashkëpunimin mes FSK-së dhe KFOR-it.

Këto reagime po i shohin në forma të ndryshme njohësit e politikës vendore. Profesori Gëzim Qerimi thotë se politizimi dhe marrja e meritave në këtë rast ndikon në dëmtimin e besimit të ambasadave tek institucionet e Kosovës.

“Tregon që faktori ndërkombëtar ka humbur plotësisht besimin dhe punën në mirëbesim me institucionet tona, duke pasur parasysh që institucionet tona po i keqpërdorin edhe këto raste kur kanë karakter humanitar – paramendo çka mund të ndodhë në raste të tjera më të ndërlikuara”, ka theksuar Gëzim Qerimi, Profesor universitar.

Ndërkohë, Dorajet Imeri, vlerëson se zyrtarët partiakë janë ngutur në deklarime, të cilat i quan si qëndrime personale.

“ Ambasada Franceze dhe Gjermane me gjasë e kanë nga frika se mund të keqpërdoret, një gjë e tillë por, askush në Republikën e Kosovës, sidomos institucionet që janë relevante dhe të fushës, nuk kanë bërë ndonjë deklaratë që është jashtë asaj që ka ndodhë, Qeveria, AME, FSK, kanë qenë profesionale dhe të matura, ndërkohë eksponentët të ndryshëm të partive, cilado qofshin ato, natyrisht janë ngutur, por këto janë qëndrime individuale”, ka deklaruar Dorajet Imeri, Profesor universitar.

Falë ekipeve të FSK-së, të martën brenda disa orësh është gjetur trupi i 35-vjeçarit Rrahim Latifi, i cili u varros këtë të mërkurë./Dukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet arabe dhe myslimane, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin, Egjiptin, Jordaninë…