A mund ta përballojë Kosova pragun e ri të NATO-s?

08 qershor 2025 | 14:22
Kosova ka promovuar për vite ndarjen e 2 për qind të GDP-së për mbrojtje si tregues të përkushtimit ndaj sigurisë. Por objektivat e rinj të NATO-s kërkojnë shumë më tepër: një total prej 5 për qind të GDP-së.

Pragu i ri i NATO-s për ndarjen e 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje është thuajse i paarritshëm për Kosovën në kushtet aktuale ekonomike. Por, ekspertë të sigurisë sugjerojnë se ekziston një alternativë për të plotësuar normën përmes orientimit të resurseve në fusha që kontribuojnë në sigurinë kombëtare.

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s kanë rënë dakord për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në kuadër të planit për forcimin e kapaciteteve, i cili pritet të miratohet në Samitin e NATO-s që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor në Hagë të Holandës.

Plani i ri i NATO-s parasheh që vendet anëtare të synojnë ndarjen e të paktën 5 për qind të GDP-së për mbrojtje, ku 3.5 për qind do të dedikohen për shpenzime bazë ushtarake dhe 1.5 për qind për investime të përvitshme në infrastrukturën e sigurisë, shkruan Albanian Post.

Burim Ramadani, njohës i dalluar i zhvillimeve në fushën e mbrojtjes, vlerëson se përveç vështirësive të natyrës buxhetore kur është fjala për përmbushjen e standardeve të reja të NATO-s, vendi nuk është as në një pozicion të favorshëm diplomatik.

“Kosova nuk është në situatën më të mirë as në kuptimin diplomatik dhe as në atë buxhetor në raport me NATO-n”, thekson ai, por shton se vendi i vogël ballkanik ka “përparësi të madhe në kuptimin e ndërtimit ushtarak dhe të sektorit të sigurisë” duke qenë se ato janë ngritur në bazë të parimeve dhe standardeve më të mira të NATO-s.

Ai potencon se lidershipi aktual nuk duhet të mbështetet vetëm në retorikë, por të punojë në ndërtimin e një koncepti të ri të sigurisë kombëtare, që shkon përtej sektorit tradicional të mbrojtjes. “Duhet avancuar patjetër koncepti i sigurisë kombëtare”.

“Në parim, vështirë për Kosovën të kalojë kufirin prej 2.5 për qind të GDP-së për mbrojtje”, nënvizon ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, “por ajo mund t’i orientojë investimet drejt fushave që garantojnë qëndrueshmëri kombëtare”.

Një qasje e re ndaj sigurisë kombëtare mund të përfshijë rritjen e investimeve në arsim – veçanërisht në fushën e inovacionit – si dhe në shëndetësi, përmes zhvillimit të kapaciteteve të mjekësisë mobile, çka reflekton ralitetin kompleks të sigurisë moderne.

“Duhet një strategji e re e sigurisë kombëtare, që patjetër duhet të përfshijë të paktën: infrastrukturën, sigurinë energjetike, burimet ujore, arsimin dhe inovacionin, edukimin dhe vullnetarizmin e gjeneratave të reja për institucionet e sigurisë, shëndetësinë dhe mjekësinë mobile, si dhe sektorin e sigurisë tradicional”, sugjeron ai.

Përderisa shumica e anëtarëve të aleancës së udhëhequr nga SHBA-ja aktualisht shpenzojnë 2 për qind të GDP-së në mbrojtje, objektivi i radhës është 3.5 për qind – për forcimin e kapaciteteve ushtarake sikurse janë tanket, raketat dhe municionet.

Janë edhe dy çështje kyçe që pritet të mbeten të hapura për një kohë të gjatë: përcaktimi i afatit për arritjen e objektivit dhe mënyra konkrete e realizimit. Përderisa viti 2032 është përmendur si synim, nuk përjashtohet shtyrja deri në vitin 2035.

Zyrtarë të NATO-s kanë vlerësuar se është e pamundur që të gjitha vendet anëtare të rrisin buxhetin e mbrojtjes në afat të shkurtër, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe nivelit të lartë të deficitit buxhetor në shumicën e shteteve.

Institucionet e Kosovës duan t’iu bashkohen strukturave të NATO-s, duke filluar nga Partneriteti për Paqe. Por, duke qenë se në NATO janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e Kosovës drejt përmbushjes së këtij synimi madhor strategjik është shumë e vështirë, por jo edhe e paarritshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është vrarë me tri plumba kandidati për president i Kolumbisë,…