A mund të ketë ngërç politik nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fund të prillit?

18 prill 2025 | 11:55

Kosova rrezikon të futet në një ngërç politik nëse deputetët e zgjedhur nuk arrijnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës deri në fund të muajit prill. Kështu ka thënë hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (KDI), Naim Jakaj.

Jakaj ka thënë se mund të përsëritet problemi i vitit 2014, periudha kur vendi pati hyrë në një bllokadë politike për 6 muaj.

“Ta marrim si shembull datën e fundit 30 prill. Pas kësaj date Kuvendi, Kosova, hyn në një ngërç politik që nuk dihet se si do të  përfundojë. Mosvotimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikim të kuorumit dhe mandateve i bie që është rrugë e patejkalueshme për të ardhur deri të betimi i deputetëve”, ka thënë Jakaj për “Kosovapress”.

Tentimi i parë për konstituimin e Kuvendit ishte më 15 prill, por PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja ka votuar kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë insistojnë që anëtarët e qeverisë në detyrë të japin dorëheqje formale para se të betohen si deputetë.

Sipas Ligjit për Qeverinë, nëse një anëtar i ekzekutivit zgjidhet deputet i Kuvendit, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kjo nuk është e nevojshme meqë sipas tij, qeveria është në detyrë që prej marsit – periudhës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Të enjten më 17 prill, deputetët e zgjedhur kanë dështuar për herë të dytë të konstituojnë organin legjislativ.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari  nga radhët e Vetëvendosjes, ka folur për konsultë me partitë politike dhe më pas e ka ndërprerë seancën duke thënë se “nuk pati konsensus” se si të vazhdohet tutje.

Jakaj ka theksuar se kryesuesi i seancës nuk e ka për detyrë të thërras seancë konsultative jashtë sallës plenare.

“Kryesuesi i seancës nuk e ka për detyrë të thërras seancë konsultative jashtë sallës plenare për çështje që lidhen me konstituimin e Kuvendit. Ka një raport të komisionit të përkohshëm që ka dështuar. Do të duhej që të hidhej në votim i njëjti raport sërish prej të njëjtit komision të përkohshëm dhe të shkohet më tutje”, ka thënë Jakaj.

Sipas tij në seancën e djeshme ka pasur shkelje të procedurës parlamentare.

“Pati edhe shkelje të tjera të procedurës parlamentare. Z. Dehari e ndërpreu në mënyrë arbitrare këtë seancë, në ndërkohë nuk mori pëlqimin e të gjithë kryetarëve të partive politike, ose të përfaqësueseve të subjekteve politike që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Një situatë e tillë shkon ndesh me parimet e qeverisjes së mirë, e sistemit e republikës parlamentare demokratike siç është Kosova”, ka thënë Jakaj.

Sipas rregullores së Kuvendit, deputetët duhet të mblidhen çdo 48 orë.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e seancës, që sipas tyre po bëhet për “pazare politike”.

Betimi i deputetëve do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit, kryesisë dhe më pas qeverisë së re.

Deri më tash, LV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tenistja spanjolle, Sara Sorribes Tormo tronditi botën e tenisit dhe…