
A po bëhet energjia “plaçkë” në Kosovë? Malushaj: Bizneset do të paguajnë mijëra euro më shumë
Në episodin më të ri të “Përballje Podcast”, mysafir ishte Hamdi Malushaj, themelues dhe drejtor i “evroTarget” dhe “KiKxxl”, dy kompani që operojnë në sektorin energjetik dhe teknologjik në Kosovë, raporton Telegrafi.
Malushaj foli për sfidat me të cilat përballen bizneset vendore, vështirësitë e daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike, si dhe përvojën e tij si sipërmarrës në vend.
Ai theksoi se shkyçja nga rrjeti i energjisë ka krijuar pasoja të rënda për punën e kompanive dhe punonjësit, duke ngritur pyetje mbi rolin e institucioneve dhe rregullatorëve në krijimin e një mjedisi të drejtë për biznes. “Ngritja e çmimit të energjisë elektrike pritet të ketë ndikim jo vetëm te bizneset, por edhe te qytetarët, duke rritur shpenzimet bazë dhe çmimin e produkteve në treg”, ka thënë Malushaj.
Ai shtoi se Kosova ka potencial për zhvillim ekonomik, por sipas tij, ky potencial mund të shfrytëzohet vetëm përmes bashkëpunimit më të mirë mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit. “Liberalizimi i tregut energjetik është sfidë edhe për shtetet e mëdha, nuk e kanë liberalizuar hala krejt shtetet e Evropës qendrore për shkak të përgatitjes së tregut”, ka potencuar ai në “Përballje Podcast”.
Malushaj tha se Kosova ka disa obligime sa i përket sektorit energjetik, por që liberalizimi i tregut është bërë pa përgatitjen e bizneseve.
“Këta e kanë bërë pa e përgatitë tregun, sepse kërkesa do të ishte me ardhë prej bizneseve, pra bizneset për të kërkuar liberalizim tregut energjetik”, ka theksuar ai, duke shtuar se me liberalizimin e energjisë elektrike nuk është marrë askush që nga viti 2014 kur është bërë një dokument në draft, e më pas për të është lobuar nga grupe të interesit në vitin 2016.
Në podcast, ai tha se liberalizimi i energjisë elektrike përfshinë 60 për qind të ekonomisë kosovare. “Është bërë jo profesionalisht, është bërë qysh nuk ka ndodhë kurrkund në botë, me njëfarë vendimi arbitrar, domethënë vendim pa e përgatitë, me zero përgatitje. Janë katër, pesë vetë që e kanë bërë këtë punë edhe nuk e kanë bërë duke mbrojtur konsumatorin”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, e gjithë kjo është bërë për përfitime materiale, e ku më së shumti përfiton KESCO, ai po ashtu tha se bizneset do të paguajnë më shtrenjtë për energji elektrike se sa në Gjermani.
Malushaj tha se janë bërë target i plaçkës, ndërsa shtoi se me kompanitë e tij, ai tashmë do të paguajë më shtrenjtë për energjinë elektrike. “Dyqind mijë euro më shumë, unë nuk e di se ku do të shkojnë…”, ka thënë ai, duke shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me daljen në treg të lirë të energjisë elektrike.
Në “Përballje Podcast”, Malushaj foli edhe për dëmet tjera që do të shkaktohen nga liberalizimi i tregut të lirë dhe sfidat që do të kenë bizneset në të ardhmen.
Më 16 gusht, KEDS-i ka shkyçur më shumë se 400 biznese, të cilët duhet kaluar në tregun e lirë të energjisë elektrike