A po diskriminohen veteranët e UÇK-së të punësuar në sektorin publik?
Në moshën 16-vjeçare, Labinot Dezdari iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u bërë pjesë e brigadës 135 “Agim Zeneli”, në Rrafshin e Dukagjinit.
Ashtu si shumë të rinj të asaj kohe, ai u bë pjesë e luftës me qëllimin për çlirim e liri të vendit.
Labinoti nga Peja, pas përfundimit të luftës ishte angazhuar në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK) për nëntë vjet si oficer për komunikim dhe informatikë. Pas dorëheqjes aty, tash e 17 vjet punon në Komunën e Pejës si udhëheqës i sektorit për teknologji dhe komunikim.
Asnjëherë nuk arriti të përfitojë nga shteti pensionin e veteranit të luftës, për çka flet me zhgënjim për institucionet.
“Sot nuk është e mira materiale apo diçka e ngjashme, por është problemi te mohimi i të drejtës ligjore. Është një fyerje për sakrificën tonë dhe për gjakun për këtë vend. Unë kërkoj nga opinioni publik, nga qeveria që të reflektojë sepse kjo nuk është vetëm ndaj nesh si veteran por për vet vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky shtet. Është shumë e vështirë të diskutojmë tani për këtë çështje pas 27 viteve. Sepse diskriminimin as që e kemi menduar ndonjëherë…. ndarjet që janë krijuar sidomos ndaj veteranëve të shërbyesve publik, në këtë rast mua dhe shumë kolegëve të mi që punojnë në sektorin publik nga ajo privat më duket se është shumë e pakuptimtë”, thotë ai.
Përkundër ankesave të tij e shumë bashkëluftëtarëve, ai thotë se nuk janë marrë parasysh nga institucionet.
Labinot Dezdari, thotë se dera e vetme që u kanë mbetur edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku edhe i kanë dorëzuar disa dokumente.
Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, thotë se ky është diskriminim dhe shkelje e të drejtave.
“Po sigurisht që është shkelje e të drejtave dhe ne mendojmë që edhe ligji i parë po edhe ligji i dytë, asnjëherë nuk na i plotëson ato kërkesat tona, do të thotë për një trajtim me dinjitet të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, këto janë ligjet, këto ligje janë votuar prej deputetëve të Parlamentit të Republikës tonë. Prandaj, ne do të avokojmë gjithmonë për secilin veteran, qoftë ai në sektorin publik që punon apo në atë privat. Megjithatë nuk është diçka që është në dorën tonë, por gjithmonë ka qenë në dorën e deputetëve të cilët e kanë ngritur dorën dhe e kanë votuar këtë ligj”, thotë ai.
Sipas tij, vet ligji diskriminon këtë kategori lufte, meqë nuk u mundësohet që të përfitojnë.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se legjislatura e ardhshme do të duhej që ta iniciojë ndryshimin e këtij ligji.
Labinot Dezdari nga Peja thotë se kërkesa e veteranëve që të gëzojnë beneficionet nga shteti nuk është privilegj por respekt për sakrificën.
Në tetor të vitit të kaluar Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar një nen të udhëzimit administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të UÇK-së të paraqesin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni. /KP



