A po heq dorë Amerika nga Ukraina?

07 korrik 2025 | 08:36

ShBA-ja ka ndaluar dërgimin e ndihmave me armë që i ishin premtuar Ukrainës. Kjo tregon se Trumpi vazhdon të jetë më i afërt me qëndrimet e Putinit në çështjen e luftës në Ukrainë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukraina duhet të presë një ndalim të të gjitha dërgesave të armëve amerikane – përfshirë ato të premtuara nga ish-Presidenti Joe Biden. “Nuk mund të jap detaje se cilat dërgesa armësh janë pezulluar”, tha zëdhënësi i Pentagonit Sean Parnell, por shtoi: “Për katër vjet nën administratën e Biden, ne dhamë armë dhe municione pa marrë parasysh se sa kemi ende vetë”.

Një rishikim gjithëpërfshirës është duke u bërë tani. Parimi është: “Amerika e para”, tha zëdhënësi i Pentagonit. Sipas tij, presidenti Trump u zgjodh “për të vënë Amerikën të parën”.

Ndërprerja e ndihmave ushtarake?

Vetë Donald Trump foli për një takim “shumë të mirë” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në samitin e NATO-s në Hagë javën e kaluar. Megjithatë, në lidhje me raketat kundërajrore “Patriot”, për të cilat Ukraina ka nevojë urgjente, Trump theksoi: “Ato janë shumë të vështira për t’u siguruar. Edhe ne kemi nevojë për to.” Sistemet “Patriot” janë veçanërisht të rëndësishme për Ukrainën për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse.

A do të thotë kjo se ndihma amerikane për Ukrainën po merr fund? Max Bergmann, ekspert për Evropën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, thotë: Po, ekziston një rrezik i tillë.

Ukraina nuk ka më prioritet për ShBA-në

“Është e qartë se administrata e presidentit Trump nuk do të kërkojë asnjë ndihmë të re nga Kongresi. Ukraina nuk është më prioritet i kësaj administrate”, tha politologu. E vetmja pyetje që mbetet është se kur do të skadojë ndihma e miratuar nga administrata e Biden – dhe nëse ShBA-ja do të vazhdojë të ndajë informacione sekrete me Ukrainën.

“Administrata Trump nuk ka interes të përfshihet shumë thellë në këtë luftë”, thotë Bergmann. Trump u përpoq të fillojë negociatat e paqes, por kjo nuk ka pasur shumë efekt deri tani.

“Ne kemi një president që nuk dëshiron marrëdhënie armiqësore me Rusinë, që nuk e sheh Rusinë ashtu siç e shohin partnerët evropianë të NATO-s, por që dëshiron një marrëdhënie të mirë me Rusinë”, thotë ai.

Reduktimi i ndihmave

Për Ukrainën është i hidhur fundi i parashikueshëm i ndihmës amerikane me armë. Por e hidhur është edhe ulja drastike e ndihmës amerikane për zhvillim. Që nga pushtimi rus në shkurt 2022, Ukraina ka qenë përfituesja më e madhe e fondeve nga agjencia e ndihmës për zhvillim USAID.
Nga kjo ndihmë janë financuar edhe pagat e punonjësve të shpëtimit dhe mësuesve ukrainas. Është mbështetur edhe puna e medias lokale ukrainase si dhe pastrimi i minave në zonat e rimarra nga Rusia.

Administrata Trump ka mbyllur agjencinë e ndihmës për zhvillim dhe vetëm mjetet e mbetura janë tani nën mbikëqyrjen e Departamentit të Shtetit. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ndihma për zhvillim e ShBA-së për Ukrainën arriti në pak më pak se 4.3 miliardë dollarë dhjetorin e kaluar.

Ndërsa deri në mars ajo u zvogëlua në më pak se 1.3 miliardë dollarë. Trendi i zvogëlimit po vazhdon.

A mund të mbyllet hendeku?

Pyetja mbetet nëse Evropa mund t’i mbyllë të gjitha këto hendeqe – ose, siç e thotë shkencëtari politik Bergmann: “A do të jetë Gjermania në gjendje të mbulojë kostot?” Përgjigja e shumicës së ekspertëve – të paktën në afat të shkurtër dhe të mesëm – shumë vështirë!/DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dita Botërore e Çokollatës festohet çdo vit më 7 korrik,…