
A po paralajmëron kandidimin për kryetar të Drenasit edhe Sejdi Hoxha?
Ramiz Lladrovci dhe Petrit Hajdari kanë shpallur kandidaturat për kryetar të Komunës së Drenasit.
Ata të dy janë deklaruar rreth kandidimeve të tyre.
Tash së fundmi ka reaguar në “Facebook” ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sejdi Hoxha.
Në këtë reagim Hoxha ka theksuar se duke u bazuar në vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së të datës 4 qershor 2025, konkretisht në pikat 2 dhe 4, sot është vetëm dita e parë e hapjes së mundësisë për kandidim për kryetar të Komunës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e sipas tij, afat do të ketë mjaftueshëm deri më 15 korrik.
Ai ka theksuar se situata politike në Drenas është e lënduar, veçanërisht në proceset zgjedhore lokale, si pasojë e pakënaqësive dhe hatërmbetjeve të grumbulluara ndër vite.
Sipas Hoxhës, kjo gjendje kërkon kujdes të veçantë dhe trajtim serioz.
“Më e rëndësishme se çdo ambicie personale mbetet qytetari i Drenasit dhe rikthimi i normalitetit politik e institucional në komunën tonë. Në një sistem demokratik si i yni, e në PDK në veçanti, konkurrenca e brendshme është vlerë që i jep forcë garës politike, dhe jo ndasi. Drenasi si arterie kryesore e PDK-së, ka nevojë për një Kryetar të dëshmuar, me integritet, vizion dhe përvojë në menaxhim, politikë dhe mbi të gjitha në raportin njerëzor me qytetarët”, ka shkruar Sejdi Hoxha.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Drenasit,
Bazuar në vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së të datës 4 qershor 2025, konkretisht në pikat 2 dhe 4, sot është vetëm dita e parë e hapjes së mundësisë për kandidim për Kryetar të Komunës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, afat do të ketë mjaftueshëm deri më 15 korrik.
Situata politike në Drenas është e lënduar, veçanërisht në proceset zgjedhore lokale, si pasojë e pakënaqësive dhe hatërmbetjeve të grumbulluara ndër vite.
Kjo gjendje kërkon kujdes të veçantë dhe trajtim serioz.
Unë besoj fort se ndryshimi për të mirë është i mundur. Ai mund të ndodhë përmes një qasjeje të re, të bazuar në respekt të ndërsjellë, bashkëpunim të sinqertë dhe energji pozitive.
Më e rëndësishme se çdo ambicie personale mbetet qytetari i Drenasit dhe rikthimi i normalitetit politik e institucional në komunën tonë.
Në një sistem demokratik si i yni, e në PDK në veçanti, konkurrenca e brendshme është vlerë që i jep forcë garës politike, dhe jo ndasi.
Drenasi si arterie kryesore e PDK-së, ka nevojë për një Kryetar të dëshmuar, me integritet, vizion dhe përvojë në menaxhim, politikë dhe mbi të gjitha në raportin njerëzor me qytetarët.
Drenasi ka nevojë për një Kryetar të pavarur në vendimmarrje, që udhëheq me përgjegjësi dhe vizion të qartë. Vendimet për këtë komunë duhet të merren në Drenas dhe për të mirën e qytetarëve të saj, pa ndikime të jashtme.
Drenasi ka nevojë për dije, përvojë dhe përkushtim të sinqertë.
Sinqerisht,
Prof. Ass. Dr. Sejdi Hoxha