
A po tenton Valdon Ademi të marrë kontrollin e aeroportit të Vlorës përmes padive? – dëshmon në prokurori Emin Pacolli: Behgjeti s’ka lidhje…
Emin Pacolli, vëllai i biznesmenit Kosovar Behgjet Pacolli është thirrur dhe marrë në pyetje në prokurorinë e Tiranës, lidhur me veprimet e kryera në kompaninë konçesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Pyetja e Pacollit është realizuar disa ditë më parë nga një grup hetimor i ngritur për këtë çështje në prokurorinë e Tiranës, e cila ka regjistruar një hetim për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda”.
Ndërkohë në ditët në vijim prokuroria e Tiranës do thërasë për të dhënë shpjegime dhe biznesmenin Behgjet Pacollin.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se Emin Pacolli ka dhënë shpjegime lidhur me shitjen e 49 për qind të aksioneve tek biznesmeni tjetër Valdon Ademi.
Në dëshminë e dhënë në prokurori, Emin Pacolli, ka pranuar para hetuesve të çështjes se ka një konflikt tregtar me Valdon Ademin, për çështjen e aksioneve, por ai ka shuar se vëllai i tij, Behgjet Pacolli, nuk ka pasur dijeni, pasi nuk ka dhe të drejtë firme në kompaninë “Mabco Constructions SA”, e cila aktualisht gëzon 98 për qind të aksioneve të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA”.
Emin Pacolli, në rrëfimin e tij ka shmangur përgjegjësinë e vëllait, biznesmenit Behgjet Pacollit, duke marë përsipër se veprimet dhe përplasjet me Valdon Ademin për çështjen e aksioneve janë kryer prej tij.
Biznesmeni Ademi, në kallëzimin e depozituar në prokurori në muajin Shtator 2025,ka pretenduar se përmes kompanisë së tij “2A Group” ka blerë 49 për qind të aksioneve në “Vlora International Airport – VIA”, por këto aksione nuk janë pasqyruar në ekstraktin e shoqërisë për shkak të vendimeve të Asamblesë drejtuese të kompanisë.
Kontrata e blerjes së aksioneve mësohet se është firmosur para noteres Valbona Selimi, ku të dyja palët kanë shprehur vullnetin dhe dakordësinë për shit-blerjen e 49 për qind të aksioneve nga kompania “Mabco Constructions SA” tek “2A Group”.
Lidhur me këtë çështje në prokurori është thirrur dhe marrë në pyetje edhe noterja Selimi, e cila në rrëfimin e saj ka pranuar se palët në muajin Prill 2025, kanë nënshtruar kontratën e mësipërme.
Për më tepër biznesmeni Ademi, ka pretenduar në kallëzimin e tij se së bashku me shoqërinë e drejtuar nga vëllezërit Pacolli kanë marrë një kredi diku tek 56 milion euro tek Banka Kombëtare Tregtare, të cilën thuajse e kanë investuar së bashku për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Ndërsa sipas tij nga ana tjetër kompania “Mabco Constructions SA” e vëllezërve Pacolli, ka marë një kredi akoma dhe më të madhe në një fond investimesh në Luksemburg, që sipas Ademit ka lidhje direkte me një bankë në Kazakistan me pronarë shtetas Rusë.
Ademi gjatë marrjes në pyetje në prokurori ka pretenduar se për marrjen e kësaj kredie, Pacollët kanë futur të gjithë investimin e aeroportit, investim në të cilin ai ka dhe pjesën e tij takuese duke rrezikuar kapitalet e tij.
Pavarësisht kësaj përplasja mes dy aksionereve ka ndodhur pikërisht tek mos regjistrimi i kontratës së blerjes së 49 për qind të aksioneve, gjë e cila solli dhe kallëzimin penal për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.
Ademi ka pretenduar se nëse Pacollët nuk i japin aksionet atëherë ka kërkuar revokimin e kontratës dhe kthimin e lekëve mbrapsht.
Lidhur me këtë çështje në pyetje janë marrë dhe dy administratorët e kompanisë “Vlora International Airport – VIA”, Nelson Çela dhe Valon Lluka.
Hetimet tashmë janë shtrirë tek verifikimi i dokumentacionit dhe pyetjes së disa personave të tjerë, përfshirë zyrtarëve të bankës BKT, disa kontraktorëve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe biznesmenit Behgjet Pacolli.
Ndërkohë nga ana tjetër gjykata administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën për marjen e një sigurim padie, ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjithashtu, në bazë të vendimit, pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49 për qind të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k./Nga Elton Qyno – Syri