A. Saudite kompenson familjet e punëtorëve shëndetësorë që vdiqën me koronavirus

09 gusht 2021 | 15:21

Arabia Saudite ka nisur të ndajë nga 133 000 dollarë për familjet e secilit punëtor shëndetësor që ka vdekur duke luftuar pandeminë e koronavirusit, ka raportuar media shtetërore.

Në njoftimin e 8 gushtit, është thënë se Qeveria do të ndajë këto shuma parash për familjet e të punësuarve në sektorin shëndetësor, qoftë në atë publik, privat, civil, ushtarak, saudit, apo josaudit brenda Arabisë Saudite.

Agjencia shtetërore e lajmeve SPA, ka thënë se punëtorët shëndetësorë “kanë dhënë jetën në luftën kundër pandemisë, për të ruajtur shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të Mbretërisë Saudite”.

Ky shtet ka raportuar 8,320 viktima me koronavirus, mirëpo Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë publike shifrat e viktimave në mesin e punëtorëve shëndetësorë.

Arabia Saudite, me popullsi prej 30 milionë banorëve, ka thënë se ka dhënë rreth 30 milionë doza të vaksinave dhe aktualisht është duke raportuar më pak se 1 000 raste të të infektuarve në ditë.

Prej shpërthimit të pandemisë, ky vend ka regjistruar rreth 533 000 raste me koronavirus.

Vdekja e parë është regjistruar më 2 mars të vitit 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zhvillimet e keqmenaxhimit në vijim me rreziqe që duhet t’i…