A tentoi Kurti ta zëvendësojë Dimal Bashën me Albulena Haxhiun?
Albin Kurti sot dështoi ta formojë Qeverinë Kurti 3 pasi nuk i mori votat e nevojshme. Atij “po” i thanë vetëm 56 deputetë.
Një nga emrat që i propozoi si pjesë të kabinetit qeveritar ishte edhe Dimal Basha, që aktualisht është kryetar i Kuvendit.
Kurti Bashën e prezantoi si ministër të Infrastrukturës dhe Transportit.
Hipotetikisht, nëse do të votohej Qeveria, Basha duke u bërë ministër do të humbte karrigën e kryeparlamentarit.
Sipas Eugen Cakollit nga KDI në këto rrethana do duhej të zgjedhej një kryetar tjetër kuvendi, por nëse kandidatët s’do të merrnin vota, këtë detyrë do ta ushtronte Albulena Haxhiu.
“Në momentin që zgjedhen ministra, deputetëve u humb mandati automatikisht. Pra, nëse Dimal Basha do të zgjedhej ministër, pozita e kryetarit të kuvendit do të mbetej vakante dhe do duhej të votohej një kryetar tjetër. Në rast se s’do të kishte vota të mjaftueshme, këtë pozitë, me delegim, deri në zgjedhjen eventuale të kryetarit/es të ri e udhëheqë nënkryetarja e parë Albulena Haxhiu”, tha ai.



