
AAK-ja akuzon qeverinë Kurti për kapje të administratës shtetërore
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i shoqëruar edhe nga bashkëpartiakët Diellza Kukaj dhe Nazim Gagica, kanë shprehur shqetësimin e kësaj partie për veprimet e qeverisë s ndaj administratës shtetërore.
“Qeveria e Kosovës e në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, që kthen e Kosovën në kohën e UNMIK-ut. Nuk ka vend as në Evropë e as në Ballkanin Perëndimor, i cili mundohet që me ligj ta kapë administratën shtetërore, ku përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë, 1 600 pozita të shërbimit publik në karrierë i kthen në pozita me mandat politik katërvjeçar. Me këtë e bënë një goditje të madhe ndaj shtetit të Kosovës, administratës dhe meritokracisë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se raporti i BE-së, i cili është dorëzuar më 7 tetor të këtij viti, e kundërshton fuqishëm këtë ligj.
“Po ashtu, mendimi ligjor i organizatës SIGMA, që është dorëzuar në gusht të vitit 2022, e kundërshton fuqishëm Ligjin për Zyrtarët e Lartë Publikë. Ligji për Zyrtarët e Lartë Publikë dhe Ligji i Pagave e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror, për një karrierë të mirëfilltë profesionale dhe për një pagë të dinjitetshme. Nuk ka vend në kontinent, i cili në këtë krizë ekonomike dhe pas pandemisë i zvogëlon pagat. Sot, gjyqtarët, prokurorët e një numër i madh i zyrtarëve publikë janë në ethe dhe të pashpresë nga dy ligje, që në fakt janë sëmundja dhe virusi që i kanë hyrë administratës shtetërore, tash e 20 vjet”, ka thënë ai.
Sipas Tahirit, kjo qasje e bënë edhe më problematike situatën, duke e ditur se ku jemi si vend dhe si administratë shtetërore.
“FMN-ja ka pasur kërkesë të drejtpërdrejtë nga Qeveria për rritje të pagës, institucion ky që zakonisht është kundër rritjes së pagave. Pra, nuk ka asnjë reflektim. Qëllimi është që të deformohet sistemi në administratë, të bëhet kapja e shtetit me ligj, të stimulohet nepotizmi, klientelizmi politik e korrupsioni. Qe 20 muaj i ka mbajtur peng të punësuarit në sektorin publik, duke folur për Ligjin e Pagave, dhe në fund i kalon dy ligje që e vrasin shpresën e secilit zyrtar në administratën publike”, ka deklaruar Tahiri.