AAK-ja do të dalë më e votuara

07 gusht 13:22

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se për këtë parti është e pakuptueshme pse nuk është caktuar ndonjë datë më e afërt për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se nëse më 22 gusht nuk do të shpërndahet Kuvendi, atëherë vendi do të futej në një krizë të thellë.

“Seanca për shpërndarjen e Kuvendit është brenda logjikës. Është mirë që ka ndodhur. Ishte pak e pakuptueshme për neve se pse nuk është caktuar ndonjë datë më e afërt. Pyetja juaj për gjasat që të mos shpërndahet Kuvendi është hipotetike. Unë nuk e besoj se mund të ndodhë një skenar i tillë. Ose, më saktë, nëse mund të ketë skenar të tillë, atëherë vendi do të futej në një krizë të thellë dhe vështirë që dikush mund ta marrë rrezikun e një loje kaq të rrezikshme”, ka deklaruar ai, duke shtuar se do të ishte mirë që të kishte një konsensus të partive për datën e zgjedhjeve.

“Nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit fillon tik-taku kushtetues i afatit për zgjedhje që është 30-45 ditë. Për ne mjafton të respektohet ky afat kushtetues. Nuk besoj se kjo çështje do të jetë problematike. Do të ishte mirë që të kishte një konsensus të partive për datën e zgjedhjeve. Nëse jo, presidenti duhet ta caktojë datën brenda afatit kushtetues”, është shprehur Nitaj.

Ai ka bërë me dije se strukturat drejtuese të partisë pëlqejnë që AAK-ja të garojë e vetme në këto zgjedhje, megjithatë Nitaj ka thënë se nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë koalicioni nëse do të vlerësohej si i domosdoshëm.

“Vullneti i strukturave drejtuese të partisë kryesisht është që të shkohet vetëm në këto zgjedhje. Ka shumë arsye për këtë, por kryesorja është që bile katër partitë më të mëdha ta dëshmojnë fuqinë e tyre elektorale si të vetme. Por, nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë koalicioni nëse do të vlerësohej si i domosdoshëm”, ka theksuar ai.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se nuk janë të mbyllura dyert për partitë me të cilat Aleanca ka pasur bashkëpunim korrekt.

“E thashë që shumica nga strukturat drejtuese në parti, duke përfshirë edhe degët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i kanë dhënë një përparësi garës vetëm, por nuk janë mbyllur dyert për partitë me të cilat kemi pasur bashkëpunim korrekt. Sigurisht në mesin e tyre janë partitë që i ka përmendur kryeministri Haradinaj”, ka thënë Nitaj.

Mirëpo ai nuk beson se do të përsëritet koalicioni PAN edhe nëse LDK-ja dhe LV-ja bëjnë koalicion parazgjedhor. “Jo, nuk e besoj”, ka thënë Nitaj kur është pyetur nëse do të mund të ketë përsëritje të koalicionit PAN.

Pavarësisht nëse Aleanca do të garojë e vetme apo si koalicion, Nitaj ka shprehur optimizëm për fitore. Ai ka thënë se pritjet janë më të mëdha se asnjëherë më parë dhe se AAK-ja është konkurrente serioze për t’i fituar zgjedhjet.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Si e komentoni këtë vendim dhe sa ka gjasa që të ndryshojë ky skenar, pra të mos ndodhë shpërndarja e Kuvendit?
Nitaj: Seanca për shpërndarjen e Kuvendit është brenda logjikës. Është mirë që ka ndodhur. Ishte pak e pakuptueshme për neve se pse nuk është caktuar ndonjë datë më e afërt. Pyetja juaj për gjasat që të mos shpërndahet Kuvendi është hipotetike. Unë nuk besoj se mund të ndodhë një skenar i tillë. Ose, më saktë, nëse mund të ketë skenar të tillë, atëherë vendi do të futej në një krizë të thellë dhe vështirë që dikush mund ta marrë rrezikun e një loje kaq të rrezikshme.

“Epoka e re”: Në rast se Kuvendi shpërndahet, zgjedhjet pritet të mbahen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. Është e pranueshme për AAK-në kjo periudhë?
Nitaj: Nga çasti i shpërndarjes së Kuvendit fillon tik-taku kushtetues i afatit për zgjedhje që është 30-45 ditë. Për ne mjafton të respektohet ky afat kushtetues. Nuk besoj se kjo çështje do të jetë problematike. Do të ishte mirë që të kishte një konsensus të partive për datën e zgjedhjeve; nëse jo, presidenti duhet ta caktojë datën brenda afatit kushtetues.

“Epoka e re”: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të garojë e vetme në këto zgjedhje apo do të bëjë koalicione parazgjedhore?
Nitaj: Vullneti i strukturave drejtuese të partisë kryesisht është që të shkohet vetëm në këto zgjedhje. Ka shumë arsye për këtë, por kryesorja është që bile katër partitë më të mëdha ta dëshmojnë fuqinë e tyre elektorale si të vetme. Por, nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë koalicioni nëse do të vlerësohej i domosdoshëm.

“Epoka e re”: Në fakt, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është i hapur për partneritet me Nismën, AKR-në dhe PSD-në. Elektorati mund ta presë një koalicion të tillë parazgjedhor?
Nitaj: E thashë që shumica nga strukturat drejtuese në parti, duke përfshirë edhe degët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i kanë dhënë një përparësi garës vetëm, por nuk janë mbyllur dyert për partitë me të cilat kemi pasur një bashkëpunim korrekt. Sigurisht në mesin e tyre janë partitë që i ka përmendur kryeministri Haradinaj.

“Epoka e re”: Është përfolur mundësia që LDK-ja dhe LV-ja të shkojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme. Nëse ndodh një gjë e tillë, mund të përsëritet koalicioni PAN?
Nitaj: Jo, nuk e besoj.

“Epoka e re”: Pavarësisht nëse AAK-ja garon e vetme apo si koalicion, cilat janë pritjet e juaja për këto zgjedhje?
Nitaj: Janë më të mëdha se asnjëherë më parë. Nga sondazhet që kanë dalë dhe nga matjet që i kemi bërë edhe ne si parti, jemi konkurrent serioz për t’i fituar zgjedhjet. Unë s’para prognozoj lehtë, por këtë herë besoj fort në fitoren e AAK-së.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka…