AAK-ja mbështet kandidatin e LV-së për kryetar të Vitisë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur të mbështesë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje , Arsim Ademi, në balotazhin e së dielës për kryetar të Vitisë, ku ai është në garë me Sokol Halitin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajmin e ka bërë me dije kandidati i AAK-së për kryetar të Vitisë, Labinot Bislimi, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit kishte marrë 2.89 për qind të votave.
“Pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet. Pasi e morëm vendimin brenda strukturave tona. Sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe i zgjatem dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi. Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vet pozicionimit tonë karshi të keqes së Komunës së Vitisë që me emër thërrasim Sokol Haliti,” ka shkruar Bislimi në “Facebook”.
Në rundin e parë të zgjedhjeve, Sokol Haliti kishte marrë 38.01 për qind të votave, ndërsa Arsim Ademi 33.46 për qind.



