AAK-ja mbledh drejtuesit e sindikatave, ata ankohen për qasjen e qeverisë

11 korrik 2023 | 14:22

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur tryezën e organizuar si vazhdimësi e dialogut social. Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të sindikatave në vend, ku kanë paraqitur vërejtje dhe sugjerimet e tyre.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së, ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze ka qenë diskutimi në lidhje me Ligjin e pagave në sektorin publik, Projektligjin për ndryshim plotësimin e ligjit për skemat sociale të financuara nga shteti dhe çështje tjera që ndërlidhen me skemat sociale. Ai të pranishmëve ua ka prezantuar edhe iniciativën që kanë marrë si grup parlamentar, duke shtuar  se koeficienti në Ligjin e pagave duhet të jetë 129 euro me një amendament të veçantë.

“Po vazhdon dialogu social me sindikata. Po flasim për Ligjin e pagave. Po ashtu për Ligjin për pensione. Është e pafalshme kur ekziston ligji të mos mund të formësohet paga. Ne kemi biseduar me kryetarin Haradinaj dhe e kemi marrë një iniciativë. Mendojmë se mënyra e vetme për t’i dhënë zgjidhje është koeficienti 129 euro. Ky koeficient mund të bëhet me një amendament në Kuvend”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka bërë një analizë më të detajuar lidhur me pagat.

“Si grup parlamentar jemi duke analizuar si t’i qasemi kësaj teme. I takon Aleancës dhe neve të bëjmë një nismë të tillë tani. Detyrimisht, qeveria duhet ta miratojë sepse e ka miratuar një nismë të gjashtë deputetëve të LV-së. Aleanca ka marrë vendim që të bojkotojë vendimin dhe nëse qeveria reflekton edhe Aleanca do të reflektojë. Kjo lidhet jo vetëm me një kauzë tonën, por me të drejtën e juve (sindikatave)”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar përkrahjen e të gjithëve që nismat e tyre të shkojnë përpara.  “Mospagesa në ndërlikueshmëri në nivele të ndryshme të shërbimeve janë ato me të cilat si Aleancë po merremi. Do të ishte mirë që të reflektojmë. Besniku ka lobuar në Kuvend që kjo iniciativë të ketë një përmbyllje të mirë. Kërkojmë përkrahjen tuaj si medie dhe si publik që të sensibilizohet opinioni. Ne punojmë për juve. Ne jemi me juve dhe për juve, pavarësisht a jemi pozitë apo opozitë”, ka thënë Dreshaj.

Më tutje, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka shprehur pakënaqësitë e tij ndaj qasjes së ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe qeverisë Kurti.

“Në situatën kur qeveria Kurti ka qasje të gabuar ndaj sindikatave, kur ministri Murati po harron se pos ministër i Financave është edhe i Punës. Ju përgëzoj edhe juve z. Tahiri dhe profesorin e nderuar për iniciativën. Ata po garojnë se kush po del në inatçi me sindikatat se tjetri. Ne kemi vlerësuar se qeveria ka qenë faktor në publik që ligjin ta dështojë. Nuk kemi shkuar tek Avokati i Popullit dhe gjykatat duke shpresuar që do dalin deputetë të flasin për këtë gjë. Një numër i kolegëve të mi po kërkojnë pushim papagesë në mënyrë që të dalin dhe të mos kthehen më në Kosovë. Më e keqe se greva është greva e heshtur. Greva e heshtur është kur shkojnë në punë punëtorët pa vullnetin e duhur. Edhe në sistemin arsimor kemi grevë të heshtur dhe Qeveria e Kosovës duhet bërë një pyetje vetes edhe pse i ka sharë mësimdhënësit: kush do ua mësojë fëmijët kur mësimdhënësit të mos jenë më këtu. Ata mund t’i kenë miliardat për të marrë mësimdhënës nga jashtë, por fëmijët mësojnë në shqip”, ka thënë Jasharaj.

Kurse kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se nuk janë të interesuar që të luajnë rolin e opozitës për ta rrëzuar qeverinë, por që po duan që të përmbushen kërkesat e tyre. Ai ka thënë se Policia e Kosovës është më e vjetra në rajon. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona kanë marrë lëndime trupore sot rreth orës 06:00…