AAK-ja qëndron pas kandidaturës së Haradinajt për president

29 tetor 2020 | 10:59

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka thënë se vendi është duke kaluar në një situatë të rëndë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se, pavarësisht prej mospajtimeve për tema të caktuara, koalicioni qeverisës është duke funksionuar.

Sa i përket çështjes së presidentit të Kosovës, Berisha ka thënë se AAK-ja qëndron fuqishëm pas kandidaturës së Ramush Haradinajt për president.

Ai ka thënë se LDK-ja do të ishte mirë që ta përkrahë kandidaturën e Haradinajt për president.

Bekë Berisha në këtë intervistë ka folur edhe për mundësinë e kandidimit të tij për kryetar të Komunës së Istogut në zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm

 “Epoka e re”: Z . Berisha, si është duke ecur puna në koalicion? Kohën e fundit AAK-ja ka filluar ta kritikojë kryeministrin Hoti. Kur Haradinaj e kritikoi për Taskë Forcën, kjo u pa si presion për postin e presidentit?
Berisha: Ne si shtet jemi duke kaluar në një situatë goxha të rëndë, me shumë probleme. Normalisht se jo çdoherë pajtohemi për tema të caktuara, mirëpo këto janë në vazhdën e punëve që po kryhen dhe nganjëherë kemi dhe mospajtime. Pra, këto janë në suaza të normales të komunikimit të një koalicioni që po funksionon në një kohë të vështirë.

 “Epoka e re”: AAK-ja po insiston në kandidaturën e Haradinajt për president?
Berisha: Ne qëndrojmë fuqishëm pas kandidaturës së z. Haradinaj për president. Mendojmë se në situata të vështira si shtet duhet ta kemi një president me integritet, që është i zoti, i qëndrueshëm dhe që ka përvojë në jetën politike dhe kombëtare. Nuk mendoj se në skenën politike aktualisht ka njerëz më kredibilë dhe më të fuqishëm që do ta kishte përfaqësuar Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare, por edhe që do të mund të përballej me problemet që ka Kosova sesa z. Ramush Haradinaj.

“Epoka e re”: Në rast se LDK-ja nuk lëshon rrugë në këtë pikë?
Berisha: Ne kemi prezantuar kandidaturën e z. Haradinaj për president dhe në këtë pikë mund të ketë kundërshtime, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk do të merremi vesh dikur edhe për mbështetjen ndaj Haradinajt për president. Mos të harrojmë se z. Haradinaj e pati përkrahur edhe Ibrahim Rugova për kryeministër, në një situatë shumë të vështirë, prandaj edhe LDK-ja e sotme, në qoftë se ka mbetur diçka prej asaj LDK-së, është mirë ta përkrahë Ramush Haradinajn për president.

“Epoka e re”: Në rast se nuk do ta keni përkrahjen nga LDK-ja, do ta çojë AAK-ja vendin në zgjedhje, me dalje nga koalicioni?
Berisha: Ky është parashikim, e unë nuk jam bash i këtyre parashikimeve.

“Epoka e re”: Sa iu përket zgjedhjeve lokale që janë në vitin e ardhshëm, AAK-ja është duke kandiduar kandidatët për kryetarë komunash. A do të kandidoheni për kryetar komune në Istog?
Berisha: Unë kam marrë kërkesa që të kandidohem. Jam propozuar nga Këshilli Qendror dhe kryesia e AAK-së. Njëherë jam duke i shikuar mundësitë. Atje ndodhën disa gjëra të çuditshme si arrestimi i kryetarit Haki Rugova që është në proces. Ne po merremi edhe me komisione hetimore se çfarë ka ndodhur aty, a ka të bëjë Taskë – Forca apo shefi i policisë që u shkarkua. Pra, të shohim çfarë ka ndodhur aty. Është kërkesë e qytetarëve që të kthehem dhe të kandidoj për kryetar komune në Istog. Kjo komunë ka vite që është e zymtë dhe nuk po shihet përparim. Qytetarët atje përballën me mungesë të gjërave bazike, andaj e ndiej të nevojshme t’u shërbej qytetarëve dhe të kandidoj në mënyrë që të kemi përparim sikurse në të gjitha qytetet e tjera. Duhet të nisim me reforma. Duhet t’u japim mundësi të rinjve që kanë vizion. Ka raste kur një projekt zgjat 20 vjet dhe nuk përfundon, por edhe nëse përfundon, i ka 100 mangësi.

“Epoka e re”: Do të thotë, do të jeni kandidat?
Berisha: Mund të them se Haki Rugova është duke e konsumuar mandatin e Gani Dreshajt. Nëse ju kujtohet, në zgjedhjet e fundit kishim dallim 12 vota dhe ato të diskutueshme. Ne e patëm fituar komunën. Haki Rugova është duke e konsumuar kryetarin e komunës që me vota e kishte fituar Gani Dreshaj.

 “Epoka e re”: Sa i përket Gjykatës Speciale, e shihni si mundësi zhbërjen e kësaj gjykate?
Berisha: E para, Kosova e ka bërë një luftë mbrojtëse dhe për çlirim. Ne kemi 13 mijë viktima, ndër ta 1 000 e më shumë fëmijë dhe gra dhe kemi të bëjmë me gjenocid. Me kontributin e të gjithë popullit të Kosovës e patëm larguar Serbinë nga Kosova. UÇK-ja bashkë me NATO-n e ka çliruar Kosovën dhe sot po bëhen 20 vjet që jemi të lirë. AAK-ja që në fillim nuk e ka përkrahur këtë gjykatë dhe është dashur që mos të përkrahet, kur ne e njohim historinë dhe sakrificën e popullit tonë dhe e dimë se kemi pasur të drejtë, sepse kemi bërë një luftë çlirimtare, mirëpo disa deputetë e kanë miratuar atë dhe ky proces tanimë nuk ndalet. Ky proces do të jetë i vështirë. Shteti i Kosovës i ka marrë masat, njerëzit janë ftuar dhe Gjykata Speciale ka filluar punën. Të tjerat tash janë veç opinione që mund t’i japin analistët. Mirëpo, fatkeqësisht, kjo do të vazhdojë. Do të ketë aktakuza të cilat do të trajtohen. Gjykata Speciale është proces i dhimbshëm dhe i mundimshëm.

“Epoka e re”: Sa  i përket grupit të Kumanovës, ka kërkesë nga familjarët e tyre prej kohësh që të ekstradohen në Kosovë. Çfarë do të bëhet për këtë në mandatin e kësaj qeverie?
Berisha: Deputetët tanë kanë bërë këtë kërkesë. Po ashtu, ministri ynë i Drejtësisë ka bërë një kërkesë që ky grup të transferohet dhe ta vuajë dënimin në Kosovë. Jemi duke u marrë intensivisht me këtë çështje. Nuk i kemi harruar as ata djem dhe as familjet e tyre.

“Epoka e re”: Jeni pjesë e Komisionit Hetimor për procesin e privatizimit. Si është duke ecur puna në këtë komision?
Berisha: Procesi i privatizimit nga fillimi ka shkuar keq. Ekonomia e Kosovës në fillim është shkatërruar nga ajo çfarë kishte mbetur. Fabrikat që kanë mbetur, të cilat kanë pasur potenciale për prodhim dhe që kanë pasur produkte në stol me miliona, UNMIK-u dhe ndërkombëtarët kanë bërë politika për ta shuar ekonominë e Kosovës dhe pastaj për ta shitur lirë. Këtu dihet që ka pasur korrupsion çdo ditë. Po shihet se ka pasur korrupsion dhe që ai proces nuk ka shkuar mirë. Kjo ka qenë edhe arsyeja që të formohet Komision Hetimor. Ne nuk jemi gjykatë. Këtë çështje do ta trajtojmë politikisht dhe në fund do të dalim me të gjetura tona, pastaj do të shihet nëse ka materie për ta çuar këtë punë në gjykatë. Qëllimi është i mirë, sepse ka të bëjë me ekonominë e Kosovës.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të vazhduar afarizmin dhe për të mos mbyllur vendet…