AAK-ja u bëri ballë goditjeve të njëpasnjëshme

03 maj 2018 | 15:23

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka bërë me dije se që nga themelimi ky subjekt politik u ka qëndruar besnik parimeve të veta politike.

Me rastin e 18-vjetorit të themelimit të kësaj partie, ai ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe AAK-ja çdoherë ka qenë në shërbim të qytetarëve dhe anëtarësisë së vet.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Nitaj ka thënë se ky përkushtim e ka mbajtur deri më tani këtë parti në skenën politike të vendit. “AAK-ja është mbajtur herë me rënie e herë me ngritje, por gjithmonë e ka ruajtur konsistencën e vet. Besoj se asnjëherë nuk ka devijuar nga parimet e veta politike, duke qenë në shërbim të qytetarëve dhe anëtarësisë së vet. Ndoshta pikërisht kjo e ka mbajtur fuqishëm në skenën politike të vendit”, ka thënë Nitaj, i cili është edhe anëtar i kryesisë së AAK-së. Ai ka vlerësuar se kjo parti i ka dhënë vlerë spektrit politik në vend.

Sipas Nitajt, AAK-ja tani është maturuar si forcë politike dhe tashmë është pjesë e pakontestueshme e spektrit politik në vend. “Duke kaluar faza e kohë të vështira, sot është ngritur në një forcë serioze politike, duke u bërë për të dytën herë parti e kryeministrit, duke qeverisur në shtatë komuna të Kosovës dhe duke bashkëqeverisur edhe në shumë të tjera. AAK-ja është maturuar si forcë politike dhe tashmë është pjesë e pakontestueshme e spektrit politik në vend”, ka thënë ai.

Nitaj ka përmendur edhe sfidat me të cilat është përballur kjo parti politike. “Sfida më e rëndë ka qenë përndjekja e vazhdueshme e liderit të saj, Ramush Haradinaj, por edhe e disa eksponentëve të tjerë të partisë. Ju kujtoj se që nga viti 2005 e deri para një viti Ramush Haradinaj nuk është lënë ta drejtojë në mënyrë të efektshme partinë. Kjo ka bërë që AAK-ja për tetë vjet radhazi të jetë në opozitë dhe kjo është një sfidë tjetër për të”, është shprehur deputeti i AAK-së.

Më tej, Nitaj ka folur edhe për përgjegjësitë që kjo parti tashmë ka në Qeveri si udhëheqëse e ekzekutivit. Sipas tij, ardhja e liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj, në krye të Qeverisë, do ta fuqizojë AAK-në. “Sigurisht kur partia politike shndërrohet në parti të kryeministrit të vendit, është maja e suksesit. Është maja e suksesit dhe sfida e të qëndruarit vertikalisht në politikë. Unë besoj se efektet pozitive të qeverisjes Haradinaj po do të dalin në shesh dhe ngadalë, por sigurt, do të zbehen zërat kritikë ndaj saj. Unë i besoj Qeverisë Haradinaj, prandaj i besoj edhe forcimit të AAK-së. Elektorati në Kosovë ka ditur edhe t’i ndëshkojë qeveritë e shkuara. Haradinaj sot i ka të gjitha mundësitë që të mos e bëjë gabimin e paraardhësve”, ka thënë Nitaj.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të enjten shënon 18-vjetorin e themelimit. Cili ka qenë roli i këtij subjekti politik deri më tani?
Nitaj: AAK-ja për gjithë këto vjet ishte pjesë e të gjitha proceseve në vend. E sfiduar si asnjë parti tjetër, ajo u përball me goditje të njëpasnjëshme që prej themelimit të saj në maj të vitit 2000. Përndjekja e vazhdueshme e liderit të saj, Ramush Haradinaj, deri edhe përpara një viti, ishte edhe goditje kundër AAK-së. Ajo, duke kaluar faza e kohë të vështira, sot është ngritur në një forcë serioze politike, duke u bërë për të dytën herë parti e kryeministrit, duke qeverisur në shtatë komuna të Kosovës dhe duke bashkëqeverisur edhe në shumë të tjera. AAK-ja është maturuar si forcë politike dhe tashmë është pjesë e pakontestueshme e spektrit politik në vend. Ju dhe gazeta juaj jeni kronistë të vëmendshëm dhe e keni vërejtur se AAK-ja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në të gjitha fazat që nga viti 2000. Thash dy herë e ka drejtuar Qeverinë e vendit. Ka nxjerrë tre kryeministra dhe ka drejtuar dikastere të rëndësishme në ekzekutiv. Ka udhëhequr me komuna të rëndësishme në Kosovë. Në zgjedhjet e fundit lokale, vetëm për 14 vota e kemi humbur vendin e parë si parti politike. Dua të them se AAK-ja nuk është parti me korrespondencë, por konsistente dhe serioze. Unë them se ajo i ka dhënë edhe sharmë, edhe vlerë spektrit politik në vend.

“Epoka e re”: Cilat kanë qenë sfidat me të cilat është përballur deri më tani ky subjekt politik?
Nitaj: Sfida më e rëndë ka qenë përndjekja e vazhdueshme e liderit të saj, Ramush Haradinaj, por edhe e disa eksponentëve të tjerë të partisë. Ju kujtoj se që nga viti 2005 e deri para një viti, Ramush Haradinaj nuk është lënë ta drejtoj në mënyrë të efektshme partinë. Kjo ka bërë që AAK-ja për tetë vjet radhazi të jetë në opozitë dhe kjo është një sfidë tjetër për të. Por, pavarësisht prej kësaj, AAK-ja është mbajtur herë me rënie e herë me ngritje, por gjithmonë e ka ruajtur konsistencën e vet. Besoj se asnjëherë nuk ka devijuar nga parimet e veta politike, duke qenë në shërbim të qytetarëve dhe anëtarësisë së vet. Ndoshta pikërisht kjo e ka mbajtur fuqishëm në skenën politike të vendit!

“Epoka e re”: Sa ka ndryshuar AAK-ja gjatë këtyre 18 vjetëve?
Nitaj: Ka ndryshuar goxha. Shumë njerëz kanë dalë e kanë hyrë në AAK. Të mos i përmend me emra, sepse opinioni publik i di, por kjo parti u ka dhënë shumë edhe partive e institucioneve të tjera. AAK-ja sot është maturuar politikisht dhe unë besoj se është partia më e strukturuar politike në vend. Asnjëherë deri më sot nuk është shndërruar në parti klienteliste, edhe pse për këtë ka paguar çmim.

“Epoka e re”: Tani lideri i kësaj partie është kryeministër i vendit. Çfarë do të thotë kjo për AAK-në? Nitaj: Sigurisht kur partia politike shndërrohet në parti të kryeministrit të vendit, është maja e suksesit. Është maja e suksesit, por edhe sfida e të qëndruarit vertikalisht në politikë. Unë besoj se efektet pozitive të qeverisjes Haradinaj po dalin në shesh dhe ngadalë, por sigurt, do të zbehen zërat kritikë ndaj saj. Unë i besoj Qeverisë Haradinaj, prandaj i besoj edhe forcimit të AAK-së. Elektorati në Kosovë ka ditur edhe t’i ndëshkojë qeveritë e shkuara. Haradinaj sot i ka të gjitha mundësitë që të mos e bëjë gabimin e paraardhësve. Nuk e ka aspak të lehtë, por unë i besoj energjisë së tij.

“Epoka e re”: Duke e udhëhequr qeverinë e vendit, sa do të arrijë AAK-ja t’i realizojë objektivat?
Nitaj: Kur partitë politike e marrin pushtetin zakonisht i lënë anash punët e partisë. Partia është organizëm i gjallë dhe ka nevojë për mirëmbajtje në baza ditore. Ndonjëherë frikësohem se mos po e kapë edhe AAK-në kjo sindromë. Por, nëse AAK-ja do të qeverisë mirë në nivel qendror dhe në nivel lokal, ku drejton shtatë komuna, kjo do të jetë garanci, sado që jo e plotë, edhe për objektivat e saj. Tashti jemi në zgjedhje partiake dhe shumë varet edhe nga njerëzit që do të zgjedhën në kryesi dhe Këshilli Drejtues. Ka shumë kuadro që dinë të punojnë në parti dhe po lutem t’u jepet mundësia në këto zgjedhje të brendshme.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, u…