AAK-ja vazhdon me doktor Zenun Elezaj për kryetar të Klinës

03 qershor 2025 | 08:18

Dje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shënuar përvjetorin e 25-të të Degës në Klinë. I pranishëm në këtë festë të partisë ishte edhe kryetari i saj Ramush Haradinaj, po ashtu anëtarë të Kryesisë e të Këshillit Drejtues të degës dhe aktivistë të AAK-së. Në këtë takim, pas propozimit të degës dhe me vendim të kryetarit Ramush Haradinaj, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është propozuar kandidat për kryetar të komunës së Klinës edhe për një mandat katërvjeçar nga AAK.

Njoftimin e ka dhënë Elezaj në rrjete sociale:

“Sot bashkë me kryetarin Ramush Haradinaj, anëtarë të Kryesisë e të Këshillit Drejtues të degës dhe aktivistë të AAK-së, kemi shënuar 25-vjetorin e themelimit të degës së AAK-së në Klinë.

Gjatë këtij rrugëtimi 25-vjeçar, Aleanca në Klinë ka dhënë kontribut të çmuar për komunën e qytetin. Në dy mandate radhazi, bashkë me ekipin tim, me përkushtim, profesionalizëm, transparencë, llogaridhënie e në bashkëpunim me qytetarët, kemi udhëhequr komunën e Klinës duke i dhënë Klinës një qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik e duke siguruar investime në secilin sektor e vend.

Në këtë përvjetor, në prani të kryetarit të partisë, Ramush Haradinaj, kemi mbajtur një mbledhje të Këshillit Drejtues të AAK-së në Klinë. Në këtë takim, pas propozimit të degës dhe me vendim të kryetarit Ramush Haradinaj, kam marrë nominimin për kandidat për kryetar të komunës së Klinës edhe për një mandat katërvjeçar.

Pas gati tetë viteve kryetar i komunës, ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe domethënës për mua. Është vlerësim për punën, angazhimin, përkushtimin që kemi pasur unë dhe stafi gjatë këtyre viteve.

Ne jemi angazhuar me tërë potencialin tonë të punojmë në mënyrë të përgjegjshme, të duhur, në mënyrë të barabartë e të drejtë për të gjithë qytetarët.

U jam falënderues qytetarëve, secilit anëtar dhe aktivist për angazhimin dhe besimin që kanë shprehur ndër vite për AAK-në, për mua dhe punën tonë.

Ne edhe në katër vitet e ardhshme do të angazhohemi për zhvillimin e Klinës.

Urime përvjetori i themelimit të AAK-së dhe ju uroj suksese!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryengociatori i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, dje është takuar…