
AAK siguron 10 ulëse në Kuvendin Komunal të Rahovecit
Ajo që dihet deri tani është se grupi më i madh në Kuvendin Komunal të Rahovecit do të jetë ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i përbërë nga disa figura të reja, por edhe nga përfaqësues të legjislaturës së kaluar lokale.
Kësaj radhe, AAK-së do t’i duhet të formojë koalicion për qeverisje, pasi i mungojnë edhe katër asamblistë për të pasur shumicën.
Në qytet veçohet performanca e Mentor Veliut, i cili arriti në kuotën e 551 votave, duke u renditur në top 2 më të votuarit e AAK-së, si dhe një nga më të votuarit në të gjithë partinë.
Sfidën më të madhe Veliu, bashkë me kandidatët e tjerë të qytetit, e ka që të mbajë ritmin pozitiv për Smajl Latifin gjatë balotazhit, i cili pritet të jetë dukshëm më i vështirë se gara për asambleistë.
Lendrit Morina arriti të sigurojë 305 vota, duke u bërë pjesë e Kuvendit Komunal. Ai ishte gjithashtu instrumental në ndaljen e hovëve të partive të tjera në fshatin e tij.
Paraqitje tjetër e shkëlqyer në këto zgjedhje është ajo e Fitim Haxhimustafës, me 259 vota, i cili mund të bëhet pjesë e Kuvendit në rast se ndonjë asambleist emërohet drejtor — nëse Smajl Latifi triumfon, kuptohet.
Vlen të përmendet se, edhe pse nuk arritën të sigurojnë ulëse në Kuvend, numër të konsiderueshëm votash morën Naser Mazreku në Opterushë dhe Drilon Mustafa në Gurin e Kuq.
Ndërkohë, Afrim Oruqi mori 215 vota, ndonëse, sipas shumëkujt, ai meritoi më shumë, duke pasur parasysh performancën e tij solide si drejtor.