
Abazoviq: Korrupsioni dhe krimi i organizuar fshihen pas çdo nacionalizmi në Ballkan
Qeveria e re e Malit të Zi duhet t’i ketë 7-8 detyra të qarta, ka thënë Dritan Abazoviq në intervistë për “DW”. Ndër detyrat janë vazhdimi i rrugës evropiane dhe përgatitjet për sezonin e ri turistik.
Shoqëria malazeze është ende e polarizuar, ka thënë Abazoviqi, zëvendëskryeministër në mandatin e qeverisë së kaluar dhe kandidati kryesor për kryeministër të ardhshëm malazez. Ai do të dëshironte që Mali i Zi të jetë plotësisht i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025.
Abazoviqi ka vlerësuar se në 14 muajt e qeverisjes së Zdravko Krivokapiqit janë iniciuar shumë gjëra pozitive, si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se aty janë arritur rezultate konkrete. Ai ka theksuar se ndryshimet në administratën publike janë një proces gradual dhe ka pohuar se tashmë është shfaqur një “valë e re njerëzish”. “Ne jemi këtu për të treguar se kohezioni social është i mundur”, ka thënë Abazoviqi, duke theksuar se do të bënte gjithçka për të parandaluar ekzistencën e “dy shteteve paralele në Mal të Zi”.
“Ne e mposhtem DPS-në më 30 gusht”
Akuzave se ai po punon në shërbim të disa faktorëve të huaj, “si për shembull, për Serbinë apo të tjerë”, Abazoviqi është përgjigjur se kjo është retorikë e atyre që pëlqejnë përçarjet në Mal të Zi. Ai e sheh veten si një politikan që “doli nga klishetë e deritanishme”. “E mposhtëm Partinë Demokratike Socialiste (DPS) më 30 gusht dhe tani duhet të ndërtojmë institucionet e sistemit. DPS-ja e ka ‘kopjuar’ mënyrën e qeverisjes së saj në shumë institucione dhe kompani, e kjo tani është kapërcyer”, ka thënë ai.
Qeveria e re e Malit të Zi duhet të ketë 7-8 detyra të qarta, ndër të cilat më kryesoret janë “zhbllokimi i rrugës evropiane”dhe përgatitjet për sezonin e ri turistik. Abazoviqi i ka quajtur këto si detyra “kryesore” dhe beson se ato janë shumë specifike, të diferencuara qartë dhe të zgjidhshme. Sidomos nëse Mali i Zi “gjen veten në një kuptim pozitiv”, bashkohet dhe çon përpara çështjet që janë në interes të “shumicës dërmuese të qytetarëve”.
“Qeverisë së kaluar i mungonte mbështetja e një parlamenti funksional dhe një shumicë funksionale parlamentare. Kjo duhet të zhbllokohet tani. Por jo duke bërë zgjedhje të reja pa reformë zgjedhore. Është koha për të dalë nga një ‘perceptim primitiv i realitetit politik’”, ka thënë Abazoviqi, duke theksuar vazhdimisht nevojën për “pajtimin e Malit të Zi”.
Nacionalizmi dhe korrupsioni
Ai ka thënë se mendime të tilla si ajo se malazezët dhe serbët nuk mund të funksionojnë së bashku në vend janë pjesë e mendimeve të vjetra. “Unë qëndroj pas tezës se korrupsioni dhe krimi i organizuar fshihen pas çdo nacionalizmi në Ballkan”, ka thënë ai.
Abazoviqi ka kujtuar gjithashtu se deri më tani ka pasur shumë kontakte me “bashkësinë ndërkombëtare”.
“Kjo është detyrë ekskluzive e përfaqësuesve legjitimë të popullit”, ka thënë Abazoviqi, i cili nga bashkësia ndërkombëtare pret që “të mbështesë përpjekjet e Malit të Zi për t’u bërë anëtari i ardhshëm i BE-së dhe që Mali i Zi të ruajë kursin e tij politik properëndimor”.