Abbott i dhuron ATK-së dron dhe pajisje të tjera profesionale

23 janar 2024 | 11:34

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicolas Abbott, ka vizituar dje Administratën Tatimore të Kosovës.

Ambasadori Abbott në këtë vizitë të fundit në mandatin e tij, ka shprehur vlerësimin e thellë për bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv me autoritetet tatimore të Kosovës gjatë këtyre viteve.

Ai ka thënë se Ambasada e Britanisë ka punuar në mbështetjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike të hetimeve tatimore, të cilat janë në interes të luftimit dhe parandalimit të shmangieve tatimore, si dhe të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe krijimit të mundësive të reja për investime.

Gjatë kësaj vizite, ambasadori Abbott ka dhuruar një dron dhe pajisje tjera profesionale që do të ndihmojnë për përmirësimin e efikasitetit dhe kapaciteteve të Administratës Tatimore të Kosovës. Ky veprim shënon përkushtimin e vazhdueshëm të Britanisë për të ndihmuar në avancimin e strukturave dhe proceseve hetimore në vend.

Ndërsa Ilir Murtezaj është shprehur se vizita e ambasadorit Abbott është privilegj dhe mesazh për ATK-në, pasi është në përmbyllje të mandatit të tij.

Murtezaj ka theksuar se Britania e Madhe në vazhdimësi ka dhënë kontribut i cili do të jetë pjesë e pashlyer e historisë tatimore. Fokusi i përkrahjes ka qenë çdoherë në pikat ku reflektimi në rezultate ka qenë i pa diskutueshëm. Ne edhe sot kur po flasim pranuam pajisje të cilat do të na ndihmojnë të shtyjmë përpara procese dhe hetime që do të kryhen nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës.

Në fund të fjalës së tij, Murtezaj e ka falënderuar ambasadorin Abbott për kontributin e tij dhe bashkëpunimin e frytshëm i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen  duke i uruar suksese në angazhimet e radhës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ndeshjet e fundit në NBA është regjistruar një statistikë…