Abbotti mirëpret përfshirjen e sundimit të ligjit në programet e partive politike

25 shtator 2019 | 12:45

Ambasada e Britanisë së Madhe dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) sot kanë mbajtur një tryezë me temën: “Zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë së Kosovës”.

Në këtë tryezë ka qenë i pranishëm ambasadori britanik, Nicholas Abbott, me ç’rast ka thënë se është e mirëseardhur se në të gjitha programet  partive politike është përfshirë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe dukurive të tjera negative.

Megjithatë ai ka thënë se nuk është e mjaftueshme të ketë vetëm deklarata për luftimin e dukurive negative.

“Në këtë kohë fushate elektorale, më vjen mirë të dëgjoj që sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe dukurive tjera negative është në programet e pothuajse të gjitha partive politike. Nuk është e mjaftueshme që të kemi vetëm deklarata për luftim të korrupsionit, qytetarët e këtij vendi kanë nevojë të dëgjojnë cilat janë masat konkrete që partitë politike do i ndërmarrin në këtë drejtim”, ka deklaruar Abbotti.

Ndërkohë drejtoresha ekzekutive e GLPS, Arbëresha Loxha, ka vlerësuar se sundimi i ligjit është thelbi i demokracisë.

Sipas saj, Kosova duhet të jetë në pronësi të qytetarëve e jo në pronësi të politikanëve të korruptuar.

“Sundimi i ligjit është thelbi i demokracisë, i të drejtave të njeriut, imazhit dhe shtetësisë tonë. Ne duam një Kosovë në pronësi të vet qytetarëve të saj dhe së ardhmes së saj Evropiane, e jo në pronësi të politikanëve të korruptuar, të sistemeve të drejtësisë të paaftësuara dhe të kontrolluara, si dhe të institucioneve jo llogaridhënëse. Ne duam një Kosovë ku institucionet e saja qeverisen nga ligji dhe barazia e të gjithë qytetarëve”, është shprehur ajo.

GLPS mbështet financiarisht nga ambasada britanike për të monitoruar punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, gjykatave dhe prokurorive në të gjithë Kosovën për të rritur transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e këtyre institucioneve.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ekzekutim i dobët i penalltisë në sfidën e djeshme…