Abdixhiku: Fituam 7 komuna, përfshirë atë më të pakrahasueshmen, Prishtinën

10 nëntor 2025 | 13:17

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar rezultatin si fitore të qytetarisë dhe të demokracisë.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Abdixhiku ka thënë se “dje Kosova foli me votë, me besim dhe me qartësi – foli në emër të shpresës, të qetësisë dhe të punës”.

Ai ka theksuar se mesazhi i qytetarëve ishte i pastër: “Kosova jeton me demokraci. Kjo është vlera më e madhe e jona si popull.”

Sipas tij, LDK ka shënuar fitore në shtatë komuna, përfshirë edhe Prishtinën, të cilën e ka quajtur “garën më të rëndësishme në vend”.

Abdixhiku ka nënvizuar se “pas 12 vitesh, LDK është sërish parti e parë në kryeqytet, dhe fitorja e dytë radhazi aty është shenjë e qartë e forcës sonë politike”.

Ai ka falënderuar kandidatët fitues dhe ekipet e tyre për rezultatet në Prishtinë, Pejë, Viti, Junik, Dragash, Lipjan dhe Istog, duke shtuar se “ky rezultat është dëshmi e një force që qëndron, rritet e forcohet”.

Në të njëjtën kohë, Abdixhiku është shprehur mirënjohës ndaj kandidatëve që nuk arritën të fitonin, duke thënë se “LDK-ja ndihet krenare me punën e tyre të ndershme dhe dinjitoze në një garë të vështirë e të pabarabartë”.

“Kemi fituar me qytetari, me ide, me punë dhe me njerëzit më të mirë që ka ky vend. Pa aparat shtetëror, pa interesa klanore, dhe me bindje në veten tonë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së është shprehur se partia e tij do të qeverisë për të gjithë qytetarët, pa dallime partiake: “Në këtë Republikë, asnjë qytetar nuk duhet të ndjehet humbës. Ne nuk fitojmë për të ndarë, por për të bashkuar. Pushteti është përgjegjësi, jo privilegj”.

Në përmbyllje të reagimit, Abdixhiku ka thënë se fitorja e LDK-së është “një thirrje për punë, për përulësi dhe dinjitet”, duke shtuar se qytetarët kanë nevojë për rezultate e jo për fjalë të mëdha.

“Dje, Kosova ka bërë një hap përpara drejt normalitetit, drejt një qeverisjeje që punon, që dëgjon dhe që respekton. Ky është misioni ynë”, ka përfunduar Abdixhiku, duke uruar qytetarët për “një natë shprese dhe një fillim të mbarë për Republikën e Kosovës”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Besim Qeriqi Diplomati amerikan Christopher Hill ka një përvojë…