Abdixhiku fton zyrtarisht delegatët për Kuvendin e partisë të shtunën: LDK-ja s’frikësohet as nga vota dhe as nga gara

26 janar 2026 | 11:08

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka publikuar një ftesë që ua ka dërguar delegatëve për Kuvendin e partisë, për të “diskutuar dhe vendosur mbi çështjet e rëndësishme politike dhe organizative, në përputhje me Statutin, traditën demokratike dhe përgjegjësinë ndaj anëtarësisë LDK-së”.

Abdixhiku ka shkruar në “Facebook” se “LDK-ja nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara”.

“Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë”, ka shkruar Abdixhiku.

Më tutje, Abdixhiku ka thënë se të shtunën do të flasë anëtarësia dhe pas Kuvendit të partisë ata do të dalin “më të fortë” dhe “më të organizuar”.

“Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK-ja nuk di ndryshe. Koha tani të flasë anëtarësia jonë. Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës. Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”,  ka shkruar Abdixhiku.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të…