Abdixhiku i kundërpërgjigjet Hykmete Bajramit: Më shumë se dorëheqje s’kam çka ofroj, jeni të lirë të garoni
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur ish-nënkryetares së LDK-së Hykmete Bajrami, pasi ajo ia kërkoi dorëheqjen e parevokueshme.
Ai tha se ka ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të partisë, duke theksuar se ky është hapi më moral që një udhëheqës politik mund të ndërmarrë në rrethana të tilla.
Abdixhiku tha se pas një diskutimi të gjatë prej më shumë se pesë orësh me strukturat e partisë, janë dëgjuar të gjitha zërat, kritikat dhe shqetësimet, për të dalë më pas me një qëndrim të përbashkët dhe me përgjegjësi para qytetarëve.
“Kam ofruar dorëheqjen time dhe kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Vendimi tani nuk është më i imi, por i LDK-së”, u shpreh ai.
Ai tha se të gjithë janë të lirë të garojnë për kryetar dhe se për lëtë është thirrur Kuvendi i LDK-së.
“Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht.”, ka shkruar ai.
Pak më parë Hykmete Bajrami njoftoi se e ka ofruar dorëheqjen dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar Abdixhikut dorëheqjen e parevokueshme.
Ajo ka thënë se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme.
Bajrami ka shtuar se ky veprim nuk është personal dhe as emocional “por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”.
Sipas saj, pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, “lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme”.
“Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër.”



