Abdixhiku i LDK-së u bën thirrje VV-së, PDK-së, AAK-së dhe Nismës për krijimin e një Qeverie Uniteti

08 qershor 2025 | 23:09

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se nesër do të mblidhen për herën e 29-të, duke theksuar se pas tre muajsh negociatash, nuk ka një shumicë të qartë.

Ai e ka konsideruar këtë si një mundësi për një Qeveri të Unitetit, duke e ftuar VV-në, PDK-në, AAK-në dhe Nismën që ta vlerësojnë propozimin për bashkëpunim.

Abdixhiku ka theksuar se në këtë moment krize, kërkohet përgjegjësi dhe guxim, dhe ka paralajmëruar se do të prezantojë një platformë 15 pikëshe për bashkëpunim.

Ai u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe shoqërisë të bashkohen për një zgjidhje të përbashkët, duke shtuar se uniteti është domosdoshmëri për stabilitetin e Kosovës.

Postimi i plotë:

Nesër, mblidhemi për herën e 29-të.

Mes betejave partiake që s’përputhen askund, një e vërtetë na bërtet qartë, askush pas tre muajsh, nuk ka një shumicë. Prandaj edhe tentativa e 29-të do të përfundojë pa epilog – veç si prolog i tjetrës.

Popullin, atë në të cilin thirremi se e përfaqësojmë, e kemi lënë vet. Jonormalja, mes përsëritjeve të pafundme, kërkon veprim me urgjencë!

Vazhdoj të besoj se në këtë vend ekziston ende një vetëdije politike që ndjen përgjegjësi. Për njerëzit tanë. Për shtetin tonë. Për faktin se po kthehemi në shembull të pahijshëm – brenda dhe jashtë.

Vazhdoj ta përsëris thirrjen time drejt liderëve të VV-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s që t’i kthehen propozimit tim për një Qeveri të Unitetit. Ta vlerësojnë me kujdes.

Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi. Nëse e trajtojmë me guxim dhe me përgjegjësi. Natyrisht se ka zëra mjaft që na ushqejnë që të rrimë larg, por sot para vetës kjo krizë na thërret veç për përgjegjësi. Asgjë më pak.

Prandaj, gjatë kësaj jave, do të shkojë dhe një hap tutje. Pas finalizimit të konsultimeve të brendshme, do të dal me një Agjendë 15 pikëshe – një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim.

Shpresoj që të kuptohet qartë: uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri.

Po, Kosovës i duhet një opozitë. Po, Kosovës i duhet një balanc demokratik. Por para dyjave, Kosovës i duhet një pozitë. Një qeveri legjitime, një Kuvend funksional, një shtet që punon – tek më pas një opozitë që kritikon.

Prandaj, edhe një herë, ftoj zërat me peshë, ftoj mendjet e urta, ftoj të gjithë ata që e ndjejnë peshën e kësaj kohe – të bashkohen me këtë propozim. Të mos heshtin. Të flasin. Të inkurajojnë secilin për këtë qëllim.

Të refuzosh, është e lehtë.

Të tallesh me një popull të tërë plot 28 herë është e rëndë. Le të provojmë unitetin. Mund dhe mos të jetë aq keq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Komandanti i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së…