Abdixhiku i reagon Osmanit: Kam qenë i gatshëm të votohet buxheti i Prishtinës, pagat e RTK-së dhe Plani i Rritjes
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklarimeve të djeshme të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë përgjegjëse ish-opozitën për mosmbajtjen e një seance ku do të votoheshin zgjatja e buxhetit për disa muaj, buxheti për Prishtinë, Gjilan, pagat për RTK-në dhe pakoja për Planin e Rritjes.
Abdixhiku ka thënë se natën kur është nominuar Glauk Konjufca, si kryetar i LDK-së ka shprehur gatishmëri te presidentja Osmani, që të gjitha këto të votohen në pako, madje që të quhej edhe si Pako e Presidentes.
Abdixhiku ka thënë përmes Osmani e ka marrë vesh që edhe në Lëvizjen Vetëvendosje ka një qëndrim shumë pozitiv për këtë ide. Pas kësaj, Abdixhiku ka thënë se ka kontaktuar edhe krerët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës dhe me disa ambasadorë të Quint-it.
Megjithatë, Abdixhiku ka thënë se pas këtij zhvillimi s’ka lëvizur asgjë për plotë 15 ditë. Kreu i LDK-së thotë e është i habitur se me sa lehtësi fshihet një gjë e tillë.
“Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 ditë pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gatishmëri as për ta diskutuar bashkërisht në një vend këtë ide. Sot habitem se me sa lehtësi fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë. E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Dje, i zënë me punët tona organizative e të nominimit, më paska ikur deklarimi i presidentes, e më pas edhe ekzaltimi i Sanço Pançove që paskan shpërndarë “të vërtetën” e tyre.
E vërteta është kështu dhe për këtë qëndroj para vendit dhe Zotit:
Në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i kam shprehur gatishmërinë Presidentes së vendit që të votohet një pako, e cila madje mund të quhej edhe Pako e Presidentes; me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.
Në mbrëmje, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Presidentja më ka kontaktuar, duke më thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide.
Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit.
Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it.
Nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë.
15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik.
Ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vet unë, na u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gatishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht.
Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 ditë pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gatishmëri as për ta diskutuar bashkërisht në një vend këtë ide.
Sot habitem se me sa lehtësi fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë. E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore.
Kjo është e vërteta.
Gjithsesi, për të gjitha sfidat ka zgjidhje. Do ta shihni dhe në ditët në vijim se bllokada ishte e qëllimshme. Nuk është e re. Po zgjatë tash e 12 muaj. Se krejt kjo krizë është inskenim i një beteje të Don Kishotit me mullinj të erës.
Kosova mund të bëhet lehtë.
Është e jona. Do ta bëjmë!



